| Nga HAMDİ NUHIJU |
Biri im, një natë më pyeti: Pse gjyshja ka rrudha?
Nuk dita se cfarë ti them. Por fillova të mendohem! Rrudhat e nënës nisin me dhimbjet e lindjes, atij momenti kur nuk dihet a do ti shpëtoje kësaj sfide apo ndoshta do të vdes.
Vazhdojnë me frymëmarrjet e tua natë për nate dhe të qarat të cilat qetësohen vetëm me praninë e nënës. Nëna rri zgjuar që ti të flesh! Jo një orë, jo një natë, por shumë orë, shumë netë, shumë muaj! Kjo është rrënja e rrudhës dhe vazhdimi i tyre është me ngritjen e temperaturës tënde, veshjen verës dhe dimrit. Rrudhat e nënës krijohen kur ti fillon të ecësh, të dalësh në rrugë, ose të ngjitesh shkallëve.
Atë ditë kur ti u rrëzove dhe e theve krahun – fillove të qash. Nëna qau dy herë. Njëherë kur të pa duke qarë dhe herën e dytë kur filloi procesi i kurimit e në të cilin, ti nuk i duroje ndërhyrjet kirurgjike.
Rrudhat vazhdojnë të krijojnë fije në fytyrën e nënës edhe në ditën kur ti bullizohesh në shkollë, nuk të pranojnë shokët dhe shoqet. Ndjehesh i përjashtuar nga shoqëria, nëna në ato momente përvëlohet, digjet, po nuk nxjerr nga goja asnjë hidhëti! Fjalët e saj mund ti lexosh tek fijet e rrudhave.
Rrudhat e nënës vazhdojnë të palohen edhe në ditën e dasmës! Në momentin kur ti merr nuse, ose në momentin kur ti shkon nuse. A thua si do të sillesh me gruan, a do të jesh mjaftueshëm i aftë për të krijuar dhe menaxhuar familje? A thua si do të sillesh me burrin, a do të jesh mjaftueshëm e aftë për ti ndihmuar burrit në krijimin e familjes? Këto pyetje sillen në kokën e nënës e cila nuk guxon ti nxjerr me fjalë, por pa dashje i shndërrohen në rrudha!
Edhe në ditën kur ti e çon gruan në sallën e lindjes dhe pret lajmin për t`u bërë baba, nëna struket në idenë e lindjes, dridhet dhe fillon në heshtje të lutet: o Zot, lehtësoja ! Dhe kështu vazhdojnë rrudhat e nënës deri në ditën kur do ta përcjellim për në botën tjetër.
Të mos harrojmë asnjëherë se Parajsa e njeriut në këtë botë është nëna! Po, nëna.