| Nga FARUK BUZHALA |
Ndërsa vozis kadillakun autobanit,
muzika nga radioja më bën shoqëri,
disponimin e keq dhe depresionin
që më bëjnë të ndjehem jo i lumtur,
ma lehtëson kënga e John Denverit
të cilën e këndoj së bashku me zërin e tij:
Country roads, take me home,
to the place, I belong…
Vija e verdhë që e ndanë korsinë
ma tregon kahjen kah duhet të shkoj.
Në këtë vapë që përcëllon
E në sytë e mi, mirazh krijon.
Ndërsa vozis duke kënduar
Ngrihet tym qiellit nga një pikë në horizont
Dhe unë them më vete:
Vallë mos ra nga qielli ndonjë meteor!
Pas nja një milje largësi
e vërej një siluetë bri rruge që nga larg
Derisa afrohem, e shoh se si ma bën me dorë
Shenjë e njohur, për t’u ndalë!
Dhe kur i afrohem e sodis më mirë,
qenka një bjondinë me flokë të gjata
Që i derdhen nën kapelën – mbi kokë.
Për çudi, ç’rroba të çuditshme ka, ç’hata.
E ndali kadillakun para këmbëve të saj
Dhe nga brenda e pyes
Për ku do të shkosh, ku?
Sidoqoftë, gjithsesi,kudoqoftë, më thotë.
Ndërsa në radio jehon kënga e bendit “The Who”
Hyr i them teksa i habitur e shikoj
Duke thënë me vete:
“kush dreqin e ndërroi stacionin në radio, kush?!”
E ajo…
E mban kokën ulur
duke e fshehur fytyrën nga unë
pa asnjë shkas,
lehtazi afrohet
Duke hipur në kadillak
dhe ulet në ulësen afër meje.
E marr me vete këtë autostopere dhe
i jap veturës gas.
Tani afër meje e kam një shoqëruese.
O sa i lumtur jam,
Teksa i jap kadillakut gas,
në autoban,
me shkas.
Nuk flasim derisa unë, e thej heshtjen dhe e pyes
“Prej nga je?”
Më shikon me ata sytë e zjartë dhe
Oh, ç’ma ndalë frymën shikim i saj,
Pastaj më thotë
“Nga larg, larg, nga planeti Satanaj!”
“Ku e gjete të bësh hajgare me mua në këtë vapë,” – i them.
“Nuk bëj hajgare, por të drejtën po ta them!”
“Ma dëshmo këtë nëse mundesh.” – i them
Dhe për çudi, për një çast
shkëndijëza fosforoshente u liruan nga trupi i saj
I tmerruar nisa të bërtas
Padashur kadillakut, i dhashë me këmbë gas!
Përnjëherë kadillaku u bë top zjarri
Nisi të ngjitet qiellit me shpejtësi
duke u tretur si një raketë
thellë e më thellë në galaksi.
E për të tjerat do t’ju rrëfehem
Nëse kthehem ndonjëherë nga atje!
Foto@LukasBato