| Nga EMIN ISMAILI |
udhëtoj nëpër kohë pa udhë,
rrugët më çojnë në askund,
dhe në mjegullën e hapësirës
të kam humbur edhe ty
vetmia më shoqëron si hije,
heshtja më rreh brenda kraharorit
si një zemër tjetër, e huaj,
që më ushqen vetëm trishtim
netët shtrihen si shkretëtirë
ku kërkoj gjurmët e tua,
ditët më verbon zhurma
dhe më dëbon nga vetja
ku është rruga? — më pyet,
teksa tërheq shpirtin zvarrë
si një trup të plagosur
shfaqet hëna si plagë e bardhë,
por frika më mban pezull
derisa agimi të lindë
në vargjet e paqena
të një poezie që s’e mbarova kurrë
mungesa jote më ndjek si erë,
dikur më ishe frymëmarrje,
tash jam veç një kufomë e gjallë,
që endet nëpër fjalë të pashkruara
Foto@FotonBlog