THËRRIMET

| Nga AMELA TEMJA |

Ndonjëherë kujtimet shndërrohen në thërrime, ndonjëherë shuhet krejt magjia e gjërave të paarritshme, e madhështores, e përfektes, e të shkëlqyerës në sytë e botës.


Në një ditë të bukur, ku zgjimi nga vdekja e ëmbël e shkurtër e gjumit nuk është ndryshe nga zgjimet e tjera, e kupton se nuk të tërheq më ajo që ngrihet në piedestale. Ajo që në gojët e botës flitet, përflitet…


Nje ditë zgjohesh dhe e sheh se e bukura është në atë që është harruar, nënçmuar, larguar. Është në ecjen e gruas që çdo ditë ora 9 hap dyqanin afër punës sime dhe pastron pjesën para derës si në shi ashtu dhe në diell, është në buzëqeshjen e plakut që ka dyqanin në hyrje të pazarit, është në mirëmengjesin e burrit që pi cigaren afër shatërvanit dhe gatuan qebabet më të mira në Çarshi, është në përshëndetjen e koleges që vjen në ora 3, është në të qeshurat e njerëzve me të cilat ndan pothuajse gjithë ditën bashkë me to mes librave, duke i hapur, regjistruar, shitur. Është në këmbënguljen e miqve për të të parë mbas pune e për të ecur buzë Vardarit, për të pirë një kafe e çaj dhe për të krijuar momente që nuk do vdesin kurrë. Se njerëzit, e kanë në natyrë të largohen por lënë pas kujtimet.


E bukura, është diçka e krijuar brenda, pa asnjë lloj nevoje për ta gjetur diku jashtë. E bukura është në çdo detaj të vogël që ne e kemi çdo ditë dhe e marrim për të mirëqënë.

Një ditë edhe ato zhduken, mbajini afër thërrimet që iu bëjnë e ndërtojnë jetën.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *