MBRAMË KUR BİNTE SHİ N’ÇARSHİ

| Nga AMELA TEMJA |

Heshtja báhet temë diskutimi e mu më mbetë me e respektue atë tuj i dhánë atë çka më së shumti e do, prapë heshtje. Gjámat ulërasin mbi çatiat e vjetra të Çarshisë e shiu mbi kalldrëma duket se ia ka nisë valles ma t’dáshme. E vështroj sesi rrjedh nga larg, me një furi t’hallakatme me u bashkue me pjesë ma t’mdhaja uji n’shtratin e Vardarit. Hapat ia kanë nisë me u rrallue, ora ka kalue dhjetën dhe …sonte Çarshia duket se do me u dashurue me shiun.

Një dáshni që i ngjan shuarjes së etjes mbas nji zhegu, me takimin me të dashurin e shpirtit, me gjumin mbas nji dite ku veç bota sa s’tu ka rrokullue mbi krye, me mallin që i jep fund nji përqafim, me nji lutje apo me diellin që hanës ia lëshon vendin dhe e të tjerë e të tjerë knáqësi t’vogla që mesa duket nuk ka me iu dhánë më asnji pikë vlere. Diku dëgjoj një të qeshur, diku një zë nervoz, dikush e ngre tonin, dikush kërcen, ca të tjerë ndeshin gotat e këndojnë, dikush vetëm hesht e përhumbet në pikëzat e shiut që përplasen në tarracat prej druri a xhami që puthen ngjitur njëra me tjetrën nëpër rrugicat e ngushta e t’fshehura të këtij vendi mistik.

N’çdo qoshe flitet për të shkuarën, kujtimet, eksperiencat, vuajtjet, tradhëtitë, gëzimet apo momentet më t’bukura që kanë pasur, nuk ngopen dhe kalojnë tek e ardhmja me plane e gjána, edhe Vardari ka ndëgjue për të bëmat e këtyre ándrrave, por, askush nuk flet për tani, për këtë shi, për burrin që po laget e nuk ka kryen ku ta shtijë, për çiftin që sapo kaloi dhe në sy iu xixëllonte një dashuri, për ato lypsarët që shëtisin për 10 denarë sy me sy. Askush nuk e hap gojën të flasë për hapat e pahedhur n’rrugët e këtij qyteti, as për mallin që nuk di të shuhet e që s’la shpirt njëriu pa e djegur e askush nuk kujtohet se hána s’paska dalur sonte.

Vështroj shiun, nuk ndalet, kalon nëpër të çarat e gurëve dhe ndrin me dritat shumëngjyrëshe që varen, dhe e vetmja gjá që muj me ndje ásht nji heshtje e rándë, nji boshllëk që mbushet veçse me ato pikëzat e shiut që përplasen mrenda meje. Najher, pse njëriu ka shumë me thánë duhet me e kuptu pse zgjidhje i ka mbetë veç heshtja. Najher, qajo heshtje ásht gjaja e vetme që mundet me t’dhánë kur ajo çka ndjen ásht ma e madhe se vetë qënia.

[18.07]

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *