FAJI

| Nga HAMDI NUHIJU |

E dini, njerëzit lindin me fat, e jetojnë me faj. Ose e kundërta. Njerëzit lindin me faj dhe jetojnë me fat. Po, me fat. Me fatin për të qenë me faj. Qysh prej kur është krijuar njeriu, në ahirul zamanin, më falni, po flasim për motin e moteve, kohën kur Ademi u takua me Havanë, nënën e njerëzimit ose siç po i thonë, Adam dhe Eva! Qysh atëherë, mësuam për fajin, po edhe për fatin. Faji dhe fati janë dy vëllezër siamez!

Faji është në gjene njëjtë si fati. Rrjedh si gjaku, është i dukshëm si uji, pihet, gëlltitet, krrup-krrup! Më gjeni një njeri pa faj? Fëmijët, thonë! Kush e theu gotën? Unë, nuk e theva, nënë, tha djali pesë vjeçar. Pse e theve gotën? Më fal, nuk e bëj më, ia ktheu fëmija tjetër shtatë vjeçar.

Faji u step karshi fatit, tha jam i pafajshëm. I ngriti duart, hoqi dorë nga ambicia e tij personale dhe i lëshoi rrugë fatit. Fati është koka, tamam kokë gjarpri që fshihet mirë nga njerëzit dhe kur përballet me armikun, vërsulet në sulm. Shndërrohet në gjakësor. Merr hak për atë se është fat, e jo faj. Një shkronjë dallim!

Faji është ndjenjë, cilësi hipokrite e njeriut. Jeton me ne, është pjesë përbërëse e identitetit ideologjik dhe politik. As nuk zhduket as nuk shfaqet. Është tamam faj i pafajshëm, njëjtë si molla e kalbur në mesin e mollave të shëndosha. Mollë është edhe ajo. Nuk i ndryshojnë kilogramët, nuk i humb as vlera deri në momentin kur ta kafshosh.

Ta kafshosh fajin, do të helmohesh! Prandaj të gjithë njerëzit kujdesen të janë të pafajshëm. Lindin, rriten, zhvillohen në ambiente të pafajshme. Sepse çmimi i pranimit të fajit është ngritur njëjtë si çmimi i dhuratës martesore në vendet e Gjirit. Të martohesh në vendet e Gjirit, duhet të kesh kushte për jetesë, por dhurata martesore në vlerën monetare të jetë sa dy herë kushtet e tua për jetesë. Logjika ekonomike e sigurisë së të ardhmes! Kështu po e interpretojnë këtë kusht të palogjikshëm. Prandaj edhe njerëzit nuk po martohen, duan të ngelin të pafajshëm!

Ta definosh fajin është faj në vete. Sot është faj edhe të thuash: Unë mendoj! Kush je ti të mendosh, të thonë.

Faji dhe fati janë vëllezër. Rrugëtimi i tyre ka nisur në ahirul zaman, në motin e moteve dhe përfundon kur të përfundoj jetesa.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *