KRONIKË PRANVERE

| Nga HAMDI NUHIJU |

E diel. Koha nuk është me diell. Nuk duket as shiu e as i ftohti. Është kohë e cila t`i ngjallë ndjenjat dhe njëkohësisht të shtonë plogështinë. E diela dhe dielli nuk kanë asgjë të përbashkët, me siguri as emrin. Të dielën nuk erdhe ti! Ndoshta ke harruar ose edhe je harruar në iluzionin optik të botës.

Të dielën nuk gatoi as nëna. Ishte humbur. Kishte harruar takimin e përjavshëm, përqafimin e nipave dhe mbesave që t`i nuk ia mundësove. Sytë e saj ishin ka dera, ndërsa me dorë lëvizte dritaret për t`ia mundësuar rrezeve të diellit pranveror lojën e stinës. Kujtonte fjalën e nipit duke i thënë:

– Gjyshe, të dielën krijohet bota ! Të hënën në mëngjes e dua në çantë, t`ia dhuroj mësueses. Po mësueses. Do ta dhuroj një botë edhe ty.

Të dielën, Dritoni me Agonin e caktuan takimin te këndi i lagjes. Duan ta vazhdojnë lojën e shahut. Kësaj jave është ndeshja e kthimit. Herën e fundit, Agoni është ndarë i dëshpëruar. Ndeshja përfundoi në dobi të Dritonit. Dobësitë e Agonit janë te përdorimi i tepërt i figurës së kalit.

– Kali është kal, shpesh herë e përmend si batutë Agoni, duke nënvleftësuar rrolin e mbretëreshës. Po mbretëreshës!

Dhe ja ku më dole ti e dashura ime! Të dielën vishi rrobat më të bukura. Dua të dal me ty rrëze malit, të gjurmojmë me fëmijët bagëtitë e blegëritë. E di, ngjyra më e bukur në stinën e pranverës është ngjyra e gjelbër. Ajo simbolizon fëmijët, gëzimin, harenë dhe lumturinë.

Koha është e luftës, skamjes, varfërisë. Por, ne e dashur dua të flasim për dashurinë, lumturinë dhe ëndërrat. Ta vizatojmë të ardhmen! Të mos e lejojmë plogështinë e pranverës dhe fjalët e armëve të trembin zemrat tona. Dimri qe i rëndë dhe i thellë! E rëndë është edhe jeta pa dashuri.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *