| Nga HAMDI NUHIJU |
Në hollin e hotelit dëgjohet një zë qortues, pastruesja Rashella me një zë të trash i drejtohet fëmijëve:
– Kujdes picimula, mos bëni zhurmë! Fëmijët qeshin, zbaviten dhe ikin nga fshesa e pastrueses. Trokasin dyer më dyer. Numërojnë numrat, dy, tre, pesë, pesëmbëdhjetë. Bullizojnë Enesin, ti nuk di të numërosh deri në dhjetë, i thanë? Unë di të numëroj, e ngriti zërin Enesi. Aida qan, më rrëzuan, më rrëzuan! Of këmba. Pastruesja afrohet me vrapë, fëmijët tjerë ikin, ndërsa ajo qetëson Aidën, nuk ke gjë, të kalon, mos qaj.
Është mesi i ditës! Në recepcionin e hotelit afrohen dy burra të mëdhenj, kokërruar, me syze dhe të veshur me kostum të zi. Me mirësjellje e pyesin recepcionisten, a ka dhomë konfidenciale të lirë? Recepcionistja shikon me habi dhe pyet për detajet, për çfarë e doni atë dhomë zotërinj? Njëri prej tyre përgjigjet:
– Ne jemi delegacioni i paqes. Kemi ardhur nga mali për të negociuar paqen. Me ne është negociatori ynë. Ai tërë kohën e ka kaluar në mal, nuk ka parë me muaj e me vite fëmijët e tij. Tash jemi në mes të luftës dhe paqes dhe na u desht një dhomë konfidenciale që atij do t`ia mundësonte të takohej lirshëm me fëmijët dhe gruan. Nuk guxojmë të japim emra dhe dokumente identifikimi. Për pagesën nuk pyesim, paguajmë dyfishin e çmimit tuaj më të shtrenjtë.
Recepcionistja me mirësjellje i lut personat që të konsultohet në telefon me pronarin e saj, pasi që merr përgjigjen pozitive, ajo përgjigjet:
– Po zotërinj, ka një dhomë të lirë. Është dhoma numër 52. Aty mund ta vendosni kryenegociatorin tuaj, por ju lutem, nuk duam probleme!
Enesi i mërzitur për bullizimin e shokëve dhe shoqeve, të nesërmen zgjohet herët dhe fillon vet t`i bëj qark dhomat e hotelit. Fillon e ti numëroj të gjitha. Thotë në vete, unë di të numëroj, unë di të numëroj. Arrinë deri te dhoma e fundit, me numër 52. Dera ishte e hapur, i afrohet derës dhe sheh një person të thinjur, ikë, me vrapë. Ndalu, përgjigjet personi, që qëlloi të ishte kryenegociator! Ndalu vogëlush, të ta dhuroj një libër. Enesi ndalet, për një moment i ndalet edhe frymëmarrja. Nuk di se si të sillet. Kryenegociatori afrohet, ia përkëdhel kokën dhe ia dhuron librin “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit. Por, jo verzionin origjinal. Atë të ilustruar për fëmijë.
– Këtë libër e kam menduar t`ia jap djalit tim që duhet të jetë në moshë sa ti. Por këtë po ta fali ty, e atij do t`i jap diçka tjetër, tha kryenegociatori.