| Nga ARBENITA MAZREKU |
Diku, do e lexosh një varg dhe padashur
do të të kujtohem unë,
poezitë e mia,
ato ndjenja
që shtrydheshin në letër.
Do të të kujtohet
se si injoroje shpirtin
që donte të të mbante
pranë;
do të të vijë jehu i një zëri që kaq rrallë e dëgjoje,
sa rrallë…
Dhe, kur të biesh në gjumë, nën qepallat e rënduara
do të të fanitet si mallkim portreti im prej vashëze buzëgaz e flokëgjatë.
Eh, lojë e çmendur jete!
Njëri fle i zhveshur
nga çdo përjetim,
kurse tjetri urren natën që vjen për ta zhytur
në skëterrën e dhimbjes.
Humbëm që të dy:
unë luftën
për t’ia sjellë pranverën
lules së fishkur,
kurse ti forcën
për të mbjellë
në egoizmin tënd
një grimë dashurie.