| Nga PRANVERA NEVZADI |
1940, Adapazar
– A mendon se do të vijë në vete?- pyeste burri mustaqok i frikësuar.
– Nuk e di se çka të them, ndoshta, – ia ktheu e shoqja teksa vendoste leckën e lagur me ujë të ftohtë në ballin e saj.
– Çfarë të bëjmë grua, kam frikë, – dridhej si thupër tërë ai burrë.
– Aman Allah, pse ke frikë, nëse do Zoti e zgjohet do ta pyesim se çfarë i ka ndodhur.
– More une kam frikë se mos jemi futur në ndonjë bela. Kush mund të jetë vallë?- pyeti përsëri të shoqen dhe posa bëri pyetjen kuptoi se bëri një tjetër budallallëk. E si mund ta dinte ajo se kush ishte ajo vajzë. Por as ajo nuk i ktheu përgjegje. Brofi në këmbë dhe u afrua tek dritarja. Shikonte sa andej rrugës sa këndej.
– Po sikur të jetë e përnjdekur? Sikur të jetë e arratisur dhe fisi i saj të jetë duke e kërkuar? Medet, do të futemi në ndonjë bela, më mirë mos ta kishim marrë fare, – mjerohej ai duke rrahur kofshët e tij me shuplaka dhe duke shikuar herë vajzën herë rrugën, sikur priste se tani do të hyjnë në shtëpi përndjekësit.
– Çfarë thua more burrë, ta lëmë vajzën ashtu të alivanosur në rrugë? Pastaj, edhe nëse është alivanosur, ç’punë kanë ata me ne? Ne i ofruam asaj ndihmë siç do të bënte çdo njeri tjetër, – e qetësonte ajo, – por lëre ti fare atë punë, unë nuk mendoj aspak ashtu. Vajza as që është nga viset tona. Pa shiko pak veshjen e saj! Nuk ngjan fare me veshjen tonë.
Burri u kthye plot kureshtje nga vajza dhe filloi ta shihte me vëmendje, ishte e vërtetë. Si nuk e kishte vënë re këtë gjë?!
– Për Zotin ke të drejtë. Vajza nuk duket si vajzat tona. Ejvah, kush mund të jetë vallë, çfarë i ka ndodhur asaj?! – u thelluan të dy në mendime kurse hëna kishte zënë dritaren dhe reflektonte tërë madhështinë e saj në ato netë të ftofta dimri.
Gruaja edhe njëherë i lagu buzët e saja tërë varrë nga ethet që e kishin zënë. E largoi pecetën nga balli e cila ishte bërë valë nga temperatura e lartë, e lagu përsëri me ujë dhe ia vendosi prapë në ballë ashtu të freskët.
– Po digjet nga temperatura, – tha gruaja e merakosur, – do të presim deri nesër pastaj ta thërrasim Halil beun.
– Mirë, tha burri me një frikë që nuk i largohej – ta thërrasim, dhe iku në dhomën e tij, kurse gruaja u sigurua që kishte bërë gjithë çka kishte mundur, fiku llambën dhe u shtri pranë saj. Vendosi edhe njëherë dorën në ballin e saj dhe u tmerrua nga nxehtësia që ndjeu, – po digjet e shkreta, nesër me mëngjes do ta thërrasim Halil beun, – mendoi me veten.
Halil beu ishte një mjek i suksesshëm në ato anë. Meqë për vite të tëra kishte qëndruar në Lindje për të përfunduar shkollimin e tij, akoma nuk ishte martuar dhe jetonte i vetëm. Nëna i kishte vdekur derisa ishte larg vendlindjes. Kur u kthye e gjeti vetëm babain e sëmurë, i cili pa shkuar shumë kohë dhe vdiq. Meqë ishte fëmija i vetëm kishte mbetur filikat. Dukej sikur jetën e tij ua kishte kushtuar pacientëve të tij, laburatorit të tij modest në banesën e tij dydhomëshe dhe librave të tij. Bënte një jetë mjaft modeste krahas të ardhurave që kishte, saqë kishte zëra që e tallnin. Por, ai mendote se ishte shumë mirë.
Nata ishte e qetë me ndonjë lehje qeni tak e tuk. Rrallë se dilte ndokush rrugëve në atë kohë pa ndonjë zor. Sidomos në një dimër siç ishte ai. Hëna ishte aq e shndritshme saqë dukej çdo gjë që shikoje. Rrugët, shtëpitë, oborret e komshive, të gjitha ishin të qeta, por zemra e Ajdënit vlonte. Shqetësimi dhe frika e kishin pushtuar të tërin. Gjumi nuk e merrte dhe nuk kishte ndonjë shpresë se do të flinte atë natë. Nganjëherë dilte nga dhoma ku ishin vajza dhe zonja Nermin dhe kur shihte se si flente e qetë gruaja e tij, i mirrte inat dhe donte të bërtiste nga mllefi. Por as ajo nuk kishte faj. Vetëm donte ta ndihmonte një vajzë të alivanosur në rrugë të cilën e kishin gjetur rastësisht derisa ktheheshin nga çiftligu… por as ky nuk kishte faj. Njerëzit më nuk ishin si më parë. Gjërat ndryshuar andej. Me ndryshimin e sistemit qeverisës nga halifeti në republikë laike vendi më nuk kishte stabilitet as siguri. Qyteti ishte mbushur me njerëz të huaj dhe perëndimorët vazhdimisht kishin tendenca për kolonizimin e vendit.
Meqë qyteti bashkonte Stambollin dhe Ankaranë ishte bërë mjaft i frekuentuar, prandaj ishte bërë e domosdoshme që njerëzit të ruheshin më shumë. Sarakaja ishte një provincë e bukur turke, me lumenj të shumtë dhe fusha të shumta pambuku.
***