KOSI I PRISHUR

| Nga HAMDI NUHIJU |

Zoti ka bekuar tokën dhe qiellin e shqiptarëve, me pyje, bjeshka e bregore. Lule të bukura verës, shi i rrëmbyeshëm në vjeshtë dhe borë e madhe dimrit. Të gjitha stinët e vitit kanë qenë të kompletuara. Shqiptarët janë bekuar me mirësitë e pafundme natyrore. Dikur jetonin në male. Zhvilloheshin dhe ushqeheshin me produktet që ofronte toka si dhe me bagëtitë për të cilat malësori shqiptarë kujdesej.

Diku në stepat e thella të bjeshkëve të Sharrit, ekzistonte një fshat i hedhur si meteor nga qielli. Banorë të hareshëm dhe punëtor, fëmijë dhe gra që njihnin diciplinën dhe rendin, burra të besës dhe të nderit. Këmbanat e lopëve dhe deleve zhvillonin jetën artistike të fshatit. Cicërrimat e zogjve, zëri i sorrës dhe ulurimat e ujkut jehonin dhe krijonin harmoninë midis natyrës, njeriut dhe kafshëve.

Jeta politike dhe kulturore zhvillohej në qendrën e fshatit. Aty banorët merrnin informacionet e fundit nga bota, politika dhe kultura. I tillë ishte edhe Xha Ganiu që shiste për çdo ditë kos të freskët. Gratë dhe fëmijët me dashuri e përgatisnin kosin në shtëpi, Xha Ganiu dilte në sheshin e fshatit dhe për pak grosh freskonte banorët. Për cilësinë e kosit të mos flasim. Banori i këtij fshati nuk mund të pranonte të ushqehej me hile. Ndërsa për arsimimin e fëmijëve, kujdesej mësuesi Xhevat.

Ky i fundit kërkohej nga të gjithë okupatorët. Ishte një patriot i cili nuk duronte sundimin e të tjerëve dhe persekutimin e shqiptarëve. Natën me pushkën e tij bënte roje, ndërsa ditën me laps dhe me fletore mësonte shkronjat e bukura shqipe. Xha Ganiu për çdo ditë e vizitonte dhe e freskonte me kosin e tij. Mësuesit asnjëherë nuk i kërkonte para.

Ishte një ditë pranverë e kobshme. Okupatori bullgar thuajse ka pushtuar tërë vendin. Papritmas një oficer i lartë, në qendrën e fshatit viziton Xha Ganiun. E pyet për mësuesin e fshatit. Xha Ganiu përgjigjet se nuk ka ky fshat mësues. Oficeri i irrituar me përgjigjen ia derdh tërë kosin me të cilin ai ushqente familjen dhe e kërcënon se herën tjetër nuk do të ndahen mirë.

I vetëdijshëm për rrezikun që e kanoste mësuesin e fshatit , as që guxon ta informoj të njëjtin për rrezikun, por merr të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur atë dhe vetveten. Xha Ganiu nuk del pa revole në sheshin e fshatit për të shitur kos. Tradita e tij ishte që e ndante kosin e mirë prej kosit të prishur, por për të mos ndotur ambientin, ai kosin e prishur e mbante deri në kthimin për në shtëpi. Oficeri bullgar i bënë vizitën e dytë të papritur Xha Ganiut. Kësaj here bashkë me shumë ushtar. Xha Ganiu ishte duke i shitur kos një fshatari. Oficeri përsërit pyetjen për vendqëndrimin e mësuesit, fshatari i cili njihej si një njeri që i kishte shpëtuar secilit pushtet, pa pasur nevojë të shkrep asnjë plumb, me të parën i tregon oficerit bullgar.

– Hesht, more edepsëz, ia dha Xha Ganiu dhe ia përplasi fytyrës kosin e prishur. Pa u menduar fare, ushtarët bullgar së bashku me oficerin me një breshëri plumbash e lënë në vend Xha Ganiun.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *