THYERJA E FUNDIT (2)

| Nga PRANVERA NEVZADI |

Me të dëgjuar ezanin e sabahut, Ajdëni menjëherë u zgjua dhe e zgjoi të shoqen.

– Zgjohu se zbardhi dita, – tha ai, – eja të shohim vajzën – u ngrit me shpejtësi sikur ta thëriste dikush me urgjencë.

– Po ja, prit pak, tani do të vij. Ç’është ky nxitim? Bismilah – brofi Nermini e përgjumur. Pasi doli në dhomën tjetër, menjëherë u afrua te vajza, preku ballin e saj me dorë dhe pa se temperatura i kishte rënë. – Shyqyr Zotit, – pëshpëriti ajo, kur sytë e vajzës u hapën. Të dytë u afruan te ajo dhe u bënë gati t’i flisnin kur vajza mbylli sytë prapë.

– Ujë, – klithi ajo, – më jep pak ujë.

Burrë e grua u panë në sy shpejt e shpejt të çuditur .

– E kuptove çfarë tha? – e pyeti Ajdëni Nerminin.

– Nga ta kuptoj unë, – iu kthye Nermini Ajdënit sikut donte t’i thoshte mjaft më, fundja aq sa dinte ai dinte edhe ajo, -por, të pata thënë, kjo nuk është nga ana jonë, tani del se nuk është as turke. Por, si do ta kuptojmë?

– Nuk e di, – rrudhi krahët Ajdëni, – unë mendoj se është nga Rumelia, kam parë se vajzat e tyre duken kështu, pastaj aq shumë kanë ardhur në këtë kohë në Adapazar sa s’ka se si të jetë ndryshe, – thoshte ai me një siguri në vetvete pastaj u kthye nga vajza për ta pyetur prapë. – Nga je vajzë, kush je ti? – por nuk mori përgjigje, vajza prapë kishte rënë në një gjumë të thellë.

– Sikur të fliste edhe pak ndoshta do të kuptonim më mirë, – tha gruaja.

– Çka do të kuptonim? Di ti ndonjë gjuhë tjetër përvec turqishtes? – e talli Ajdëni Nerminin.

– Jo unë nuk di, por do ta kuptonim disi se nga është, – pastaj preku edhe një herë ballin e vajzës me dorë dhe u ngrit, – nejse, të falem unë një herë e pastaj shohim, – ngrit ajo nga vendi me një qetësi që Ajdëni e xhelozonte. Ai nuk mund të ishte ashtu aq i qetë. Kishte frikë, merakosej, shqetësohej, por prapë nuk mund ta linte ashtu pa ndihmë një vajzë të re në atë dimër të ftoftë dhe rrugëve të pasigurta.

Kur Nermini u kthye, vajza kishte filluar të vinte në vete. Ajo hapi sytë, dhe mezi i mbante qepallat e ngritura nga lodhja që i dukej qartë në fytyrë.

– Kush jeni ju? – i pyeti ajo me një zë të lodhur e të dobët, kurse këta u panë në sy me njëri tjetrin duke rrudhur krahët. – Ku jam unë? – vazhdoi vajza e huaj të pyeste dhe shihej qartë se ishte kthjellur, kurse këta të habitur nuk e kuptonin fare.

– Më duket sikur vajza flet gjuhën e Safijes, – tha Nermini me dyshim, pastaj vuri dorën në faqe dhe picilloi sytë duke u munduar të mendonte sa më mirë rreth asaj që dyshonte.

– Ti thua se është arnavute, – pyeti Ajdëni.

– Ashtu më tingëllon, – ia ktheu e shoqja.

– Po ik atëherë shko te Safija e thirre le të vijë. Ndoshta mund ta kuptojmë se çka po ndodh.

– Ҫ’thua o burrë, akoma nuk është bërë mëngjes siç duhet, si të shkoj unë tek fqinjtë në pikë të natës ashtu? Prit pak, do të shkoj më vonë, – kundërshtoi Nermini duke rrudhur ballin e gjerë të cilin ia kishte mbuluar  shamia.

– Ke të drejtë, kam humbur sensin e kohës nga habia, i tha Ajdëni. – Si quhesh vajzë? – insitonte Ajdëni, por vajza fare nuk e kuptonte, vetëm vazhdonte të pyeste: “Ku jam unë?”, “kush jeni ju?”, “pse jam unë këtu?”.

– Tamam, tamam, – mundohej ta qetësonte Nermini, të paktën je mirë shyqyr Allahut, tani do të zgjidhim çdo gjë, – i fliste asaj duke ia përkdhelur kokën.

– Ah, flet sikur të kupton ajo, – e ironizonte Ajdëni.

– Sidoqoftë. Të paktën do ta marrë vesh se po mundohem ta ngushëlloj dhe se është në duar të sigurta, – tha ajo dhe u ngrit që të përgatiste mëngjesin, kurse Ajdëni u mbështet në minderin afër dritares dhe vështronte jashtë. Vajza ngriti kokën dhe u mbështet më mirë në jastëkun pas shpinës, akoma ndiente dhimbje në tërë trupin. Vështronte dhomën dhe strukej në vetvete e frikësuar dhe e shqetësuar, por mundohej ta qetësonte kokën duke i thënë vetes: “Të paktën jam në një familje të mirë për momentin”. Edhe pse nuk i kuptonte aspak, kujdesi që tregonte zonja Nermin ndaj saj i jepnin një rehati dhe një qetësi që e kishin ç’lodhur sadopak. Vështronte dhomën me interes të veçantë sikur dëshironte që përmes saj të kuptonte sadopak diçka., “Kjo duhet të jetë dhoma e ndejës” mendoi ajo me vete. Minderin e punuar me dru dhe copat e sfungjerëve mbi ta i ngjallnin një nostalgji, një ndjenjë që nuk arrinte ta frenonte nga vaji. Pastaj pa në ballë të dhomës në mur një pëlhurë të zezë me disa shkronja arabe. Pasi i bëri nje vështrim të gjatë asaj pëlhure, u shkreh në vaj me të madhe. Kur Ajdëni pa se vajza po qante me të madhe, menjëherë thirri zonjën Nermin e cila ishte në kuzhinë duke përgatitur mëngjesin.

– Nermin, Nermin, eja shpejt – bërtiti ai, kurse Nermini sakaq hyri me një frymë në dhomë duke i fshirë duart me peshqir.

– Çfarë ndodhi bej, ç’është kjo bërtimë? – pyeti ajo e frikësuar.

– Vajza po qan, mendoj se është e frikësuar. Aman, shko tani, thirre zonjën Safije dhe le të vijë, se as unë nuk duroj dot më. Nermini iu afrua afër vajzës dhe u mundua ta qetësonte.

– Çfarë ke moj bijë? Qetësohu se do të shohësh se do të zgjidhim gjithçka në dashtë Allahu, – por kur pa se vajza nuk po pushonte, u ngrit dhe iku me vrap për te shtëpia e Safijes e cila ishte pak më lart.

Zonja Safije ishte një tjetër shqiptare e ardhur nga Anamorava e Kosovës, e cila ishte detyruar të largohej para 37 viteve nga vendi i saj. Ajo kishte qenë vetëm 10 vjeçare kur mbretëria serbe kishte aneksuar Kosovën me 1912.  Edhe pse kishte qenë e vogël, ajo shumë mirë kujton ditën kur babai i saj, me axhallarët e saj kishin ardhur me shpejtësi në shtëpi, kishin marrë vetëm disa trasta me ushqim, pa pasur mundësi që Safija t’i merrte as rrobat e saj të pakta, dhe me disa bagëti që kishin, ishin nisur rrugës për në Anadoll. Vetëm kur kaluan përmes kodrës ku ajo ruante bagëtitë me motrat dhe vajzat e tjera u kujtua që as nuk ishte përshëndetur me shoqen e saj të vetme, të cilën e la pas, pa ditur se çfarë do të ndodhte pastaj. Nga aty ajo mund ta shihte shtëpinë e saj shumë qartë. Bile shpesh krenohej para vajzave tjera se vetëm ajo mund ta shihte shtëpinë e saj nga aty kur ruanin bashkë bagëtitë. Edhe tani e shihte, por sikur mos të kishte mundësinë fare ta shihte. Shtëpinë e saj të bukur e të vogël e kishte mbuluar tymi e flaka. “Baba, baba, shtëpia jonë po digjet,” – i tregonte ajo babait të saj me shpresën se ai do të bënte diçka. “Le të digjet bijë,” – i thoshte ai me sytë e përlotur duke u munduar ta fshehte dhimbjen. “Do ta bëjmë një më të mirë”, por ai e dinte shumë mirë se sado të mirë ta ndërtonte, kurrë nuk do të ishte më e mirë se ajo shtëpi e vogël që kishte në vendin e vet. Pas ardhjes në Adapazar, Safija menjëherë kishte filluar të merrte mësim në mejtep, shpejt kishte mësuar të shkruante dhe të fliste. Por gjuhën e saj kurrë nuk e kishte harruar.

Safia tani ishte bërë grua dhe kishte një djalë të vetëm, i cili ishte akoma në luftë duke e mbrojtur Medinën e Bekuar me Fahredin Pashën. Ajo tashmë e dinte shumë bukur gjuhën turke dhe fliste dy gjuhët shumë mirë. Ajo kurrë nuk e kishte harruar njërën duke mësuar tjetrën. Burri i Safijes ishte gjithashtu një shqiptar i ardhur nga Fushë Kosova, i dëbuar me dhunë nga forcat serbe. Ai punonte si zdrukthtar në një puntori të një turku dhe fitonte mirë, me çka ata bënin një jetë të kënaqshme.

Me të hyrë Safija në dhomë, vajzës sikur i erdhi gjaku në fytyrë.

– Çfarë i paska ndodhur bijës sime të bukur? – i dha zemër ajo duke u afrua nga vajza me një buzëqeshje të sinqertë  e mikëpritëse.

Sapo dëgjoi të fliste në gjuhën e saj vajza u shkreh në vaj sikur tash kishte gjetur botën.

– Qetësohu bijë, qetësohu. Tani do të zgjidhim çdo gjë dhashtë Zoti. Zonja Nermin më tregoi se të kanë gjetur në rrugë të alivanosur. Si duket ke humbur? – pyeti zonja Safije me dyshim. Vajza lëvizi kokën në shenjë pohimi pa mundur të fliste nga vaji. Ky vaj bëri që edhe zonjës Nermin t’i mbusheshin sytë me lot. “Kush e di se ç’hall ka e shkreta,” mendonte ajo derisa e shikonte vajzën ashtu.

– Si quhesh?- e pyeti zonja Safije vajzën,

– Sy…Sylba, – mezi u përgjigj ajo nga ngashërimet e vajit.

– Çfarë ka ndodhur me ty Sylba? Ku e ke familjen? Sylba tani më nuk arrinte të qetësohej dhe filloi të qante me të madhe. Vendosi shupkalat në fytyrë dhe mundohej ta ndalte veten. Por, ajo kishte një vullkan brenda shpirtit të saj që tashmë kishte shpërthyer dhe nuk arrinte ta ndalte dot.

– Qetësohu moj bijë, me  Emrin e Allahut do të zgjidhim çdo gjë, do ta gjejmë familjen tënde. Ah, ata të mallkuar që na bënë pikë e pesë nëpër dynja, – nëmte e mallkonte okupuesit Safija.

– T’i sjell pak ujë vajzës? – pyeti Nermini në gjuhën e saj duke mos ditur se çfarë të bënte në ato momente.

– Bën, nëse nuk është zahmet për ty, ndoshta e qetëson, – i tha Safija.

– Çfarë zahmeti, çfarë thua, menjëherë po e sjell, – fluturoi Nermini në dhomën tjetër. Kurse Sylba vazhdonte të qante me dënesë pa mundur të kthente përgjigjet plot kureshtje të zonjës Safije.

– Unë nuk erdha këtu për të humbur – klithi më në fund Sylba e mbytur nga dënesa dhe të qarat.

– Qetësohu moj bijë, se do t’i gjejmë prindërit e tu. Më thuaj nga je?

– Jam nga Anamorava – ia ktheu Sylba duke u dridhur.

– Nga Anamorava? Me të vërtetë? Po edhe unë jam nga ajo anë. Kur dëgjoi këtë Sylba, u qetësua paksa, i largoi flokët e lagura me lot nga fytyra, u mbështet më mirë mbi jastëkun e bardhë, dhe tha:

-Vërtet?! Edhe ti je nga ajo anë?

– Po, po. Nga Anamorava jam. E sheh, filluam mbarë, – i tha ajo duke buzëqeshur. Ndërkohë zonja Nermin që rrinte afër me gotën e ujit në dorë, kur pa që vajza u qetësua pak, iu kthye Safijes plot kureshtje. – Hë? Kuptove gjë?

– Jemi nga i njëjti vend, – ia ktheu Safija me buzëqeshje duke mbajtur dorën e Sylbës. – Hë tani, a do pak ujë? – e pyeti ajo Sylbën.

– Mirë,- tha ajo, – më jep pak, – dhe e zgjati dorën por në krahun e saj vëreheshin shenja të mëdha e të mavijosura. Zonja Safije ishte një grua e matur, edhe pse ishte shumë në merak se çfarë i kishte ndodhur, ajo vazhdimisht mundohej ta qetësonte pa i bërë pyetje të shumta e bezëdisëse. Kurse shenjat e mavijosura ia shtuan edhe më tepër kërshërinë.

– Unë them, ngrihu njëherë, bëje një banjë, t’i japim ca rroba të pastërta, ham mëngjes së bashku, pastaj flasim. Të premtoj se gjithçka do të zgidhim, – i propozoi ajo Sylbës. Por edhe Sylbës i pëlqeu idea. Ishte bërë kohë që nuk ishte larë e ndërruar. Kur deshti të ngrihej, pa edhe njëherë pëlhurën në mur, por kësaj here u përmbajt. Zaten, zonja Safije e kishte qetësuar tejmase, dhe afër saj e ndiente veten të sigurt. Ndoshta për faktin se fliste shqip, ndoshta për faktin se ishte nga vendi i saj, apo ndoshta sepse ia kujtonte nënën. Zonja Nermin, sakaq u kthye në dhomë me disa rroba dhe një peshqir.

– Ja, uji është gati. Të të përcjell deri te banjo, – edhe pse nuk e dinte gjuhën e saj, ajo e kuptoi se çfarë donte të thoshte, si përgjigje i dha një buzëqeshje të mbytur dhe shkoi mbrapa saj.

– Çfarë të bëjmë Safije, si është gjendja?- e pyeti Nermini.

– Për besë nuk di as unë çfarë të them, të shohim çfarë do na tregojë vajza pastaj, – ia ktheu ajo.

– Në rregull, – u thelluan të dyja në mendime.

***

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *