SONTE

| Nga HAMDI NUHIJU |

Sonte , ndjehem i vetmuar, i strukur dhe në heshtje po pres psherëtimat e shpirtit tënd. Që është lidhur me ndjenjat, veset, emocionet. Lidhje e tillë si imanenca gri! I heshtur si një kapërcyell në garën e pafalshme të kafshëve të xhunglës.

Sonte, dëgjova me vëmendje akrepat e orës. Tik-tak! Më shoqëronin në rrugëtimin tim para vdekjes. Altar i tmerrshëm me dy xhelat, duke pritur për të ma këputur kokën. Turma e njerëzve e ngazëllyer me pamjen. Dhe ja momenti i shumëpritur, koka ime fluturoi. Pikat e gjakut stërpikën xhelatët. Akti ngazëlloi njerëzit njëjtë si momenti i çeljes së iftarit qysh ngazëllen agjëruesit.

Sonte, jam pa kokë. Emocionet e mia janë duke shkarravitur shkronjat. Më është sosur ngjyra e durimit. Nuk mund të ankohem. Ma morën të drejtën e ankimit. Yjet në qiell i kam dëshmitar për përpëlitjet e mia. Qielli duket i vogël përballë brengave të mia.

Ngjyra blu më është përzier me ngjyrën e gjakut. Po të gjeja diku strehë për të ikur, sonte do të isha mysafir i paftuar. Po duken disa re. Retë në qiell alarmojnë për kohën me shi, bollëk, jetë! Duket sikur shpresa për t`i dhënë fund brengave ende ekziston. Dridhjet e mia! Ah, dridhjet e mia nuk po ndalen. Trupi im pa kokë është kurorë e një shpirti të huaj. Ndoshta shpirt me ngjyrë të zezë! E keqja nuk fshihet në ceremoninë e xhelatëve. Shpesh herë koka në trupin e njeriut simbolizon dhimbjet e padurueshme.

Sonte, nuk jam Ti në botën e shkronjave, as Unë në jetën reale. Përçart po bërtas duke trazuar dëshirat e brendshme! Heshtni, edhe pse askush nuk po flet. Hesht të thash! Dua ta dëgjoj shpirtin tim se si fle.

Sonte, shpirti im fli qetë. Prite agimin e mëngjesit. Mos u shqetëso! Edhe sikur dhimbjet të mos ndaleshin deri në pafundësi ata kanë Shëruesin e pafund.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *