TREGU I LIBRAVE TË PËRDORUR

| Nga HAMDI NUHIJU |

Gjendemi në Prishtinë, në kryeqendrën e Kosovës. Aty, në pjesën jo urbane të qytetit, ose siç i thonë Prishtina e vjetër, në mes të deponive të mëdha, tymit dhe smogut është i vendosur tregu i librave të përdorur. Për çdo ditë aty shiten libra nga sfera të ndryshme. Një ambient jo i përshtatshëm për shëndetin e njeriut. Natën, të varurit e drogës, atë vend të bekuar, për shkak të mungesës së ndriçimit e kanë bërë çerdhe krimi. Në mëngjes tregtarët e librave të përdorur pastrojnë vendshitjen e tyre prej gjilpërave dhe mjeteve kontraceptive. Aty vendosin librat, një nga një.

Renditen në radhë, Elif Shafak, së bashku me Tolstoin, Dostojevskin e Shollohovin. Esat Mekuli është pak më andej. Pastaj vijnë librat e Rexhep Qosjes, Ismail Kadaresë, Ag Apollonit, Ervin Hatibit. Në vendshitje gjenden edhe Përrallat e njëmijë e një netë. Bob Dyllan rri i heshtur, njëjtë siç ishte i heshtur në ditën kur duhej ta pranonte çmimin Nobël për letërsi. Sikur shikon me habi në drejtim të librave të Ismail Kadaresë duke i thënë: – Unë e fitova çmimin Nobël, por refuzova ta marr.

Në treg gjenden libra edhe në gjuhët sllave. Edhe pse Kosova është liruar nga okupatori serb, por barrierat kulturore nuk guxojnë që të pengojnë lexuesin të arrijë deri tek zhvillimi i fantazisë dhe mendimit të lirë. “Bora” e Orhan Pamuk gjendet afër “Ura mbi Drin” të Ivo Andriçit. Pastaj vazhdojnë të kërkojnë blerësit e tyre librat e Luan Starovës, Kim Mehmetit, Salajdin Salihut e Murat Isakut. Kasëm Trebeshina, Mitrush Kuteli gjenden afër Haruki Murakamit, Francesko Mirajles e Robert Elsie.

“Filozofia politike e çështjes shqiptare” e Ukshin Hotit është njëra prej librave më të kërkuar kohët e fundit. Nuk ngelin mbrapa as autorët tjerë. Blerës më të shpeshtë në këtë treg janë student, nxënës të shkollave të mesme e arsimtadësh. Një ditë, një student pyet për librin “Mbi dhunën” të Hannah Arendt. Shitësi i tregon çmimin! Dhe pas një diskutimi, vijnë në konkludimin që ky libër t`i shitet shumë lirë.

– Nuk kam shitur sot asnjë libër, tha shitësi duke u pajtuar me çmimin që ia ofroj blerësi. Duke mos ditur vlerën e këtij traktati filozofik, shitësi hap ditën e shitjeve të tij, duke e bërë me fat blerësin.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *