KULLA

| Nga HAMDI NUHIJU |

Kulla prej letre e ndërtuar me fantazinë e fëmijëve dhe dashurinë e prindërve për fëmijët është shtëpia e parë në imagjinatën e jetës tënde. Imagjinatë e bujshme e mbushur me nuanca ngjyrash, e larmishme dhe e gjallë.

Në kullën prej letre gjen shpirtin artistik të njeriut, atë copëz të pazbuluar e cila me kohë rafinohet dhe definohet. Harxhove gjysmën e ditës për ta ndërtuar dhe për një moment, bota brofi, shoku ose shoqja e prishi me një të rënë të dorës. Tu rrënua ëndërra, për një moment ndjeve pasiguri për ekzistencën e mundit, dijes dhe fantazisë tënde. Është e rëndë pasiguria e fantazisë së fëmiut në shkallët e identitetit njerëzor.

Pengesat që rrisin pasigurinë po të ishin të jashtme, do të menjanoheshin dhe evitoheshin në formë të ndërtimit të identitetit, por si të menaxhohen pengesat e brendshme, ambienti toksik në të cilën rritet dhe zhvillohet fantazia e fëmijëve?!

Kulla prej rëre është kullë hareje, gëzimi dhe kombinimi midis ujit, diellit dhe rërës. Udhëtimi, ose shëtitja nuk guxon që të jetë vetëm argëtim, pa mësimin, dijen dhe përvojën. Në çdo udhëtim ne marrim përvoja dhe njohuri të reja. Njohim njerëz, vende dhe përballemi me gjëra e sende. I tillë ishte edhe udhëtimi në bregdet. Nga prindërit nuk tu lejua ta kalosh kohën kot.

Fillove të ndërtosh një kullë prej rëre dhe ta shtrydhësh kapacitetin tënd intelektual dhe artistik për të krijuar një figurë gjeometrike e cila do ti rezistoje kohës sa më gjatë. Në atë kullë ti ndërtove edhe një dhomë për macet, për ato krijesa të pafajshme të cilat simbolizojnë dashurinë e fëmijëve. Afër dhomës së maceve, vizatove bibliotekën e babait, dy kënde parajse në fantazinë e një fëmije gazmor.

Kulla me gurë të lëmuar e ndërtuar me kujdes dhe dashuri nga Haxhi Faiku i reziston kohëve, viteve e dekadave. Në atë pyll piktoresk, në atë natyrë ku së bashku jetojnë gjarpri, ariu, ujku dhe këmba e njeriut, gjendet edhe ajo kullë. Kullë e cila dimrit të bën madhështor në mbretërinë e kafshëve, ndërsa veres të freskon me ajrin e pastër. Në atë vend madhështor ku qëndron kulla, thuajse të mos ekzistojnë stinët e pranverës dhe vjeshtës.

Kulla shërben si fortifikatë për tu mbrojtur nga kafshët e egra, por edhe nga armët e njerëzve. Në traditat e shqiptarëve, shtëpitë janë ndërtuar në formën e kullave. Ata gjithmonë kanë pasur para syve rrezikun e armiqve dhe kujdesin me estetik për sigurinë e familjes.

Kulla është fortifikatë, mburojë, por edhe estetikë. Ai popull që në traditën e saj ka ndërtimin e kullave, nuk është vetëm popull trim, por është edhe popull me shpirt artistik!