| Nga HAMDİ NUHIJU |
Dhimbja është një ndjenjë e cila e alarmon trurin. Dhimbja është ndjenjë, cilësi ndonjëherë edhe fisnike e njeriut e cila e pastron trupin nga akumulimi i papastërtive të brendshme gjatë periudhës kur nuk ka ekzistuar si ndjenjë. Dhimbja trurin e mban gjallë dhe të kujdesur gjatë periudhës së ekzistencës së saj. Beteja e njeriut në momentin e sëmundjes është me trurin e tij dhe jo me simptomat e dhimbjes. Por kur sëmuret truri kush duhet alarmuar?
Truri sëmuret kur akumulimi i papastërtive të brendshme të njeriut është aq i madh saqë mjeti dhimbje nuk funksionon. Del jashtë sistemit dhe njeriu hallakatet. Si hallakatet njeriu? Thjeshtë i ikën truri. Prandaj terapive që kanë të bëjnë me shërimin e sëmundjeve mendore, njerëzit i kanë vendosur emra të tillë, si terapia për shërimin e sëmundjeve shpirtërore. Bota e trurit e mbushur me fije nervore është aq e pasur dhe e padukshme, saqë njerëzit për të kujdesen përmes rrugëve alternative.
Njerëzit në momentin e dhimbjes i zhdukin miliona kërkesat e tyre të përditshme dhe fokusohen vetëm në një gjë: largimin e dhimbjes! Dhimbja bëhet e padurueshme aq sa na jemi të padurueshëm në realizimin e synimeve tona.
Nuk ka dhimbje të përhershme përveç dashurisë dhe të Vërtetës. Po, e vërteta është dhimbje e cila pastron papastërtitë e brendshme të njeriut, ia hap sytë e zemrës dhe e orienton drejtë lumturisë. E vërteta është mjet për ta mbajtur të alarmuar trurin në secilën situatë dhe gjendje. Dashuria është dhimbje, pasi që rruga e saj është e ndërtuar me gjemba, është e pjerrët, malore, aty ku këmba e njeriut e ka të vështirë të kaloj. Vetëm i gjakosur mund t`i shijosh frytet e dashurisë.
Dhimbja është mall në tregun e ndjenjave, cilësive, veseve. Shitet dhe blihet në bazë të bursës të cilën e rregullon e Vërteta, ndërsa largohet dhe vjen në bazë të kërkesave të dashurisë.
Nuk ka dhimbje që synimi i saj të mos jetë fisnik! Po dhimbjet që të padrejtit ia shkaktojnë të drejtëve? Ato janë plagë, mësim i të drejtëve për të kuptuar rëndësinë e drejtësisë. Janë dënim për të padrejtit, pasi që dhimbjet që padrejtësisht i shkakton tjerëve, nuk ka asnjë dyshim se do të kthehen në një kohë të papërshtatshme dhe në forma të egra.
Dhimbja për trupin është sikur kapaku për shishen. Secila shishe ka kapakun e vet!
Foto: alinciortea