| Nga HAMDİ NUHIJU |
Lutja është një mjet tjetër për t`u marr me vetveten. Njeriu pastron copëzat e mendimeve të tij kur e di se fati i tij nuk varet nga të tjerët. Ai qetësohet dhe për një moment e tërë ngarkesa psikologjike zhduket. Kjo ngarkesë tek ai ka krijuar vrima, gjurmë dhe shenja. Ato dëshmojnë se dikur ky njeri ka shpresuar se fati i tij është në dorën e të tjerëve. Lutja është shërim prej hipokrizisë. Largim i njeriut prej gjërave të kota dhe kthim në rrugën e duhur. Sekondat, momentet, çastet që na janë dhënë falas, ne po i harxhojmë falas. Pa i planifikuar, pa i përdorur ato në dobi të vetvetes dhe familjes.
Lutja është ilaç në vokabularin e mjekëve. Po, ilaç që trajton sëmundjet e trupit dhe shpirtit. Njeriu i hutuar, prej hutimit mund të largohet vetëm përmes portës së lutjes. Nëse kjo portë nuk ekziston, vazhdon thellimi në hutim dhe rruga alternative që i ofrohet janë mjetet që krijojnë kënaqësi momentale. Kënaqësia e vërtetë gjendet në ato sekonda kur t`i lutesh. Harron gjithçka! Harron edhe veten. Përballesh me një botë të cilën askush nuk e sheh. Në ato momente t`i je epiqendra e botës.
Fshehtësia e lutjes është tek vazhdimësia! Efektet e saj mund të vërehen vetëm atëherë kur t`i nuk e ndërpretë lutjen. Përmbajtja e lutjes duhet që të ketë para vetes edhe një plan zbatimi ditor. Nuk mundesh të konstatosh se është pranuar ose refuzuar lutja pa iu përmbajtur planit të zbatimit ditor. Sepse, njëri prej qëllimeve të lutjes është të largohesh nga ngarkesa psikologjike, t`i largosh pengesat në rrugë dhe të vazhdosh ekzistencën e gjërave në të cilat t`i beson.
Lutja është programim i jetës në bazë të mundësive dhe shkathtësive tua si dhe pengesave që të dalin rrugës. Njeriu nuk guxon që të mos programohet dhe të dorëzohet në pengesat e para. Thjeshtë lidhja e tij përmes portës së lutjes, i krijon hapësirë për t`u përballur me gjithçka. Në fund edhe me vetveten!