VENDI ASKUND

| Nga NURIE EMRULLAI |

Në qytetin me emrin Askund

dita- ditës shumojnë veten askushët.

Në mesqytet,

krye-askushët mbajnë ndezur turrën me dru,

ku nuk digjen më shtriga e shtriganë

por djegin drutë që vetë i presin (siç priten flokët e thonjtë)

dhe hirin ua hedhin syve të njëri-tjetrit.

-Është rituali i tyre për të parë mirë.-

*Vendi i askushëve gëlon nga festat e ditëlindjeve,

nga ahengjet të cilat veç festa nuk janë,

por parodi ku imitojnë vetveten dhe vetëfuqizohen në asgjënë e asgjësë.

-Atyre u thonë se janë qytetarë të denjë kapitalizmi.

Paranë e fitojnë lehtë, mjafton të shkelin mbi tjetrin, çdo kurriz e bëjnë shkallë dhe ngjiten majava të askundit…

Askushët e vegjël

asgjë nuk mësojnë se nuk i lë hiri në sy,

por i mësojnë të shtiren sikur shohin…

dhe të tjerët shtiren sikur ligjërojnë.

Askushët me askushët nuk dashurohen…

por kjo s’ka më rëndësi,

se askushi ngjizet fare lehtë, natën e parë të çdo jave,

kur ndizet zjarri dhe derdhet hiri

mbi sytë e mbi trupat e tyre.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *