DHIMBJA

| Nga LYSIEN DISHA |

Jam po aty ku kam qenë edhe më parë. Herën e fundit kur qëndrova i ulur në këtë stol, liqeni ishte tejet i turbullt. Largimi ishte vetëm katër ditë larg dhe si çdo herë para nisjes duke ndjerë rrezet e filtruara nga retë, mendova; A do të të shoh sërisht? Ndjesia e largimit është si ndjesia e kamxhikut, asnjëherë nuk mësohesh me dhimbjen dhe nga hera në herë shija e dhimbjes ndryshon. Por ja ku jam sërisht. Këtu, i ulur po në të njëjtin stol dhe liqeni është po i turbullt.

Shikoj njerëz teksa vrapojnë në rutinën e tyre të mëngjesit por, askush nuk mund t’ua largojë pasqyrimin e dhimbjes nga fytyra. Kam vërejtur që tregimi i shkujdesur duke injoruar dhimbjen ushqen në zmadhimin e saj. Përballja me të është e pashmangshme nëse dëshiron largimin e saj nga vetja. Do të të tregoj një të vërtetë. Dhimbja është një luftëtare e dobët. E vërteta e dhimbjes është që çdokush që u fut në dyluftim me të ka rezultuar triumfues ndaj saj. Por, çdokush që hoqi dorë nga dyluftimi, dhimbja e dënoi me vdekje. Nëse triumfon, dije se ajo sërisht do të trokasë në portën tënde, madje sërisht, e sërisht, por kurrë në të njëjtën formë që ti e njohe më parë. Kur ta shohësh atë para teje, lufto sërisht, dhe sërisht do të triumfosh, kjo është e vërteta e dhimbjes.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *