| Nga HAMDİ NUHIJU |
Disa gjëra në këtë jetë vihen në pikëpyetje. Për shembull, shoqëria e keqe, kahet e jetës, veset, mënyra e sjelljes. Në pikëpyetje vihet edhe ekzistenca! Paramendoni të futemi në botën e veseve dhe të harrojmë obligimet, përgjegjësitë dhe moralin. Të krijojmë narracionin e brishtësisë si dhe të lakohemi përballë secilës furtunë. Të futemi në brendësinë e furtunës dhe të nisim valle. Çka do të na thonte jeta? Ky është i çmendur! A nuk jemi të çmendur të gjithë ne që jemi futur në trenin e pritjes? Treni është nisur në cak, ndërsa ne kemi vendosur të presim në kahun e kundërt.
Pyetja dhe pikëpyetja janë rrugët e dijes. Nuk mund të kuptojmë jetën, botën, njerëzit, idetë, mendimet, pa bërë pyetje. Dhe pyetja është rruga e parë e dijes. Pse duhet të pres? Pse-të janë zgjidhje e shumë problemeve matematikore si dhe në vendimarrjen biznesore. Pse-ja është e shenjtë, e artë për botën dhe jetën. Secili njeri që e konteston pyetjen ose që mundohet t`i gjej behane, është njëri i kapur. Të kapura janë edhe mijëra zgjidhje të problemeve të cilat presin pse-të e famshme, por nuk guxojnë të zgjidhen.
Pse-ja e artë ka dal në sipërfaqe. Ajo po thyen dogmat e të gjitha llojeve. Nuk mund të qëndroj një dogmë karshi pse-së. Nuk mund të krijosh dogma kur pse-të i ke të shpeshtuara. Pse-të duken të palogjikshme vetëm në botën e politikanëve. Edhe pyetjet e fëmijëve, pse një fshat është fshat e jo qytet, kanë përgjigje.
Bota po vihet në pikëpyetje nga dëshira e njeriut për të sunduar. Shumë njerëz po varfërohen, po vdesin urie, e po vriten me armë të krijuara nga njeriu. Vënia në pikëpyetje është pragë ekzistence, jo vetëm i botës, por edhe i vetvetes. Ne shpesh herë harrojmë të reflektojmë përballë situatave të ndryshme me të cilat përballemi. Nuk nxjerrim mësimet, sepse pse-të mungojnë. Mungon edhe dogma! Mungon vullneti dhe dëshira për tjetrin. Pasi që duam të jetojmë mirë, vet, me klanin e ideve dhe mendimeve tona të shndërruara në dogmë!