| Nga HAMDI NUHIJU |
E dashur, si je? Nëna, fëmijët si janë? Nëna, a po i merr me kohë barnat? Të lutem, të kesh kujdes për të. Ti e di se ajo qysh e ka gjendjen. Natën, a po i këndon ende gjumit si dikur? Gjumit që iu është humbur në kohë dhe në hapësirë. Gjumit që nuk ekziston!
Fëmijët si janë? A e mësuan tabelën e shumëzimit? E di se i kam premtuar që t`i sjell lodrat nga koleksioni i fundit, por kësaj here nuk mundem. Ende nuk e kam marr rrogën!
Familja si janë? Komshinjtë, rruga, e lagja? Vajzën a e dha Tefiku, djali i Halimit a e përfundoi shkollën? Me halle dhe derte qysh po ja dalin ato? Ti e di se saherë që blenë gjërat e nevojshme për tek ne, të ndash një pjesë edhe për to!
Koha si është? Tek ne, gjithmonë është e çrregulluar. Një pjesë e kohës është me shi, pjesa tjetër diell. Nuk mund ta kuptojmë saktë asnjëherë a është pranverë, verë, vjeshtë ose dimër. Nuk di njeriu se si të vishet!
Librat si i kam? A ke pasur mundësi t`ia largosh pluhurin? Të lutem të kesh kujdes për to! E kam humbur kontaktin dhe komunikimin me to, por dashurinë asnjëherë. E di se janë zhgënjyer nga unë, ndjehen të tradhtuar, por nuk kam pasur rrugë tjetër. Ndoshta ndonjëherë në kohëra më të mira do të kam mundësi përsëri të bashkëbisedoj me to. Por, shenjat nuk janë të mira. Është humbur fija, rruga, koncepti dhe drejtësia. Janë çrregulluar shumë vlerat! Megjithatë, ne ende po marrim frymë.
Çatia a po rrjedh ende ujë? Kur të kthehem po shpresoj se gjëra e parë që do të bëjë, është ta rregullojë çatinë. Ti nuk e meriton të jetosh në një ambient ku prej çatisë rrjedh ujë.
Të premtoj se do ta ndërroj edhe veturën! Jam duke kërkuar këtu dhe në ditëlindjen tënde do ta sjell një veturë. Ngjyrën, tipin nuk do ta tregoj. Këto elemente le të janë befasi!
Të fala të gjithëve