RRUGA ME KALLDRËMA

| Nga HAMDİ NUHIJU |

Driloni dhe Dioni, dy të rinj të lindur në mërgim habiteshin me qytetin e lindjes të prindit të tyre. I gëzoheshin ndryshimeve arkitekturore. Prindërit e tyre insistonin që pushimet t`i kalojnë në vendlindje me qëllim që fëmijët e tyre të socializohen, të mësojnë gjuhën, doket, traditat dhe kulturën tonë. Rrugëtimi për në vendlindje ishte festë. Fillonin përgatitjet për vizitën e vendeve të ndryshme, ndanin mjetet që i dedikonin për të ndihmuar, kontaktonin familjarët, blinin dhurata. Ky element në plotni i ngjante festimit të Bajramit.

Ishte mesi i prillit! Koha nuk ishte as e nxehtë as e ftohtë. Thuajse të gjitha stinët përziheshin. Dimri tregonte dhëmbët, vera gëzonte dhe tërhiqte të rinjtë kah vetja. Sikur thontë se frytet e mia janë lehtë të përballueshme dhe të kapshme për të gjitha shtresat! Vetëm gjatë verës nuk mund të hetosh klasat shoqërore njëjtë siç hetohen gjatë dimrit. Driloni dhe Dioni kishin dal me biçikleta t`i shijojnë bukuritë e vendlindjes. Vizitojnë sallën sportive, atje takohen me shok dhe shoqe për të luajtur lojëra të ndryshme. Shkëmbejnë dhurata dhe vazhdojnë lojën. Duket sikur përgjithmonë kanë qenë pjesë e këtij vendi. Është një zë i brendshëm i cili i tërheq dhe i bënë të ndjehen sikur të ishin pjesë e kësaj toke. Habiten!

Të nesërmen vazhdojnë me rutinën e njëjtë. Kësaj here e marrin me vete edhe babain. Shëtiten dhe tek salla e sporteve luajnë basketboll. Është lojë me adrenalinë, thotë babai. Po, ia kthejnë fëmijët të cilët si me krenari nuk i lënë fitore babait. Djersiten, argëtohen, luajnë dhe shfryejnë tërë energjitë negative. Nisen për në shtëpi! Babai , rrugës i çon tek rruga me kalldërma. Fëmijët e pyesin me habi pse vetëm kjo rrugë ka ngel me kalldërma?

– Këtu dikur ka qenë çezma e sadakasë. Të pasurit tek çezma e kësaj rruge linin sadakatë e tyre. Të varfrit, natën, pa u hetuar dhe turpëruar prej njerëzve merrnin sa kishin nevojë. Në këtë rrugë me kalldërma, shumë familje të varfra janë ushqyer, rrëfehet babai. Sot kanë ngelur vetëm kalldërmat.

LËRE NJË KOMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *