| Nga LIRIDON HYSENI |
Në netët e vona lodhem
Duke rrokatur yjeve n’lebeti,
Për çastin e shuar kujtohem
Lakmoj t’a kem përsëri.
Unë s’e dua kohën,
Aq më bën për botën,
As djallin se përfill kot,
Sonte s’mirrem dot!
Kam dhimbje koke,
M’është ba si sallë baleti,
Rrotullohen si pupla,
Ato pak lumtuni shkreti!
Sonte dëgjoj melodinë tënde,
Vallëzoj pjesën dorazi me çastin
Një çikë afrohem me dhimbje,
Por tashmë je shumë larg!
Lëshoj një fjongo në mes së sallës,
Dhe kthehem mbrapa në arrati,
Puplat tona tash rrotullohen
Me melodinë që veç ti e di!