| Nga NADA DOSTI |
Dëshira e të mive ka qenë gjithmonë që të studioja në një shkollë artistike. Në fis kishim një vajzë të edukuar, të sjellëshme, që edhe pse mamanë e kishte mjeke, vetë ishte artiste, më saktë piktore. Elsa ishte shembulli i përkryer i një vajze plot kulturë, plot edukatë, që të gjithë e lavdëronin. Kështu, këtyre tanëve, iu fiksua ideja për të na çuar në shkollë artistike. Mua, motrën, dhe kushërirën time bashkëmoshatare.
Për faj të Elsës pra!
Të shkretët! Vërtet shpresonin se ne tre vajzave çapkëne dhe mistrece do i përafërsoheshim imazhit të Elsës.
Unë, si e lindur në korrik, më kanë çuar në shkollë ende pa mbushur 6 vjeç, që do të thotë se isha më e vogla nga bashkëmoshataret e mi. Statistikisht, fëmijët që nisin shkollën më herët se shokët e tjerë të klasës, kanë më pak gjasa të jenë të sukseshëm. Dhe që këtu e nisa me këmbë të mbarë. Bashkë me kushërirën time, ishim dy rebele të përbetuara, që bënim si bënim sabotonim qëllimisht çdo lloj audicioni për t’u profilizuar në ndonjë lëndë artistike: kështu në audicionin e pianos provonim të luanim “shumë urime për ty” në versionin tonë të stonuar dhe duke përplasur gishtat me sa kishim fuqi mbi tastierë, pastaj violinën e përdornim si kitarrë, tek kanto çirreshim dhe vinim në lojë komisionin, ndërsa tek piktura dhe skulptura më duket se as e morëm mundimin të hynim. Dhe kështu “përfunduam” së bashku me fëmijët e tjerë të patalentuar, të profilit të përgjithshëm ku do merrnim një formim themelor të arteve të ndryshme në forma të reduktuara. Kjo ishte në fakt ajo çfarë ne synonim thellë thellë, kur mendonim për torturat e orëve të tëra ushtrimi thjesht për t’i rënë një vegle na dukej fundi i botës. Ne donim thjesht të luanim. Mundësiht futboll, me çunat e klasës. Në fund të fundit ishim thjesht fëmijë.
Kështu, pasiqë na u përplasë në fytyrë se nuk kishim as gishta të përshtatshme për piano, as veshë për muzikë, por as edhe zë për kanto, ishim të destinuara të mbartnim etiketimin e fëmijëve të patalentuar dhe që vështirë se do korrnin ndonjë sukses në jetë lëre pastaj t’i përafroheshim Elsës. Ah moj Elsë, ç’na more në qafë!
Megjithatë, ishim të rrethuara me art gjithë kohën, aq shumë afër tij, sa dhe larg. Pavarsisht se nuk e ushtronim, veshi ynë u mësua me muzikë instrumentesh të ndryshme, gishtat kalonin aty këtu në një proces magnetik që të tërhiqte vetvetiu drejt tastierave të një pianoje apo telave të një violonçeli. Sytë çeleshin përballë veprave artistike të pikturave dhe skulpturave të ndryshme, që gjendeshin në pothuajse çdo klasë. Nuk do t’i harroj kurrë serentat romantike të një simpatizanti të mësueses tonë kujdestare, teksa vinte duke i rënë violinës herë pas here dhe ajo e ndiqte e përhumbur në ëndrra me sy hap. Apo vajzat çipllake të pikturave dhe skulpturave, të klasave në fund të koridorit, e cila qe kthyer si një zonë e ndaluar për ne të vegjlit. Në koridorin që të çonte drejt këtyre klasave dukej sikur ishin ngjitur shirita të verdhë sinjalistike ku ndalohej kalimi, apo qoftë dhe zgjatja e kokës për të parë çfarë fshehin këto ambiente të mistershme. Por unë si rebele e përbetuar si do i shpëtoja vallë këtij urdhëri ndalese? Për mua çdo fjali që niste me “mos” do kthehej si për inertsi në “hë cfarë pret, futju pra!”. Duke qenë se motra ime ishte dy klasë më e madhe, dhe shoqa ime e ngushtë ishte e lidhur me një djalë, të gjimnazit (drrogaxhi por shpirtnjeriu e quante ajo), edhe unë si padashje shumicën e kohës isha në shoqëri të më të mëdhenjëve. Kështuqë shiritat e ndalesës zhdukeshin, kur në koridor përpëliteshin zombit e mëdhenjë. Ndërsa ne kamufloheshim ndër ta, se shyqyr Zotit, edhe anatominë e kishim më të zhvilluar se bashkëmoshatarët tanë. Më pëlqente të rrija me ta, ishte një botë më vete ajo e të mëdhenjëve. Paralele nga ajo e naiviteteve dhe papjekurive të moshatarëve të mij. Kur fjala bie gocat e klasës diskutonin për çuna që iu pëlqenin, shpjegonin tiparet e ndonjë vocërraku të ndonjë klase paralele, apo të personazheve të famshme, imazhe të sheqerosura të çunave si Aaron Carter, simboli i çunit të mirë, të pastër të krehur dhe mirëkuruar. Me ato flokët e drejtë si të hekurosur plot merak nga ndonjë nikoqire marrë direkte nga fshatrat e Shqipërisë dhe katapultuar në stafin personal të këtij çunaku amerikan. Kurse për mua, imazhi i “mashkullit ideal” nisi të formësohej me flokë të shpurpurita, mundësisht pak të gjata, të hedhura pas veshi ose të derdhura ndër sy aq sa mezi të mund të shikohej bota përreth. Me shumë pak mjekërr të lënë si nga përtesa për ta hequr dje, ndoshta dhe sot, me një “hajt-se-e-heq-nesër” lloji mjekrre. Gjithmonë me një cigare në dorë, i përhumbur mes tymit dhe veprave. Me libra dhe telajo të hedhura aty këtu, se një mendje gjeniale s’ka kohë të ftillojë rrëmujën. Rrëmujë brenda, rrëmujë jashtë. Ndoshta adoleshentja ime e asaj kohe, ishte në kërkim të ndonjë vepre të lënë përgjysëm, të ndonjë vepre të dëmtuar që vetësabotohej në përpëlitje për t’u përmisuar. Projekt të cilin, me ta marrë në dorë, do e kthente në kryevepër duke i falur të gjithë dashninë që i kishte munguar vetë. Dhe kështu mendonte se më në fund do arrinte të përmbyllte misionin e saj plot sukses.
Më pëlqente të rrija me më të mëdhenjtë. Me të mëdhenjtë flitej për art dhe letërsi dhe gjëra të tjera të mëdhenjshë. Një piktor, shoku i këtij drrogaxhiut tonë, na tregonte se si për veprat e tij ishte frymëzuar nga romanet e Ismail Kadaresë. Shumica e tyre ishin nudo.
– Mirëpo ju mos e lexoni tani, se jeni të vogla, kur të rriteni do keni kohë!”
Faaap! Mjaftoi pjesëza “mos” për të nxitur tek unë atë rebelizmin nad-ian, dhe tashmë Ismail Kadare më ishte kthyer në një fiksim në kokë. Tani duhej të gjeja mënyra se si t’i merrja librat e tij. Kështu, shkoj tek bibloteka e shkollës gjithë entuziazëm, i cili do të merrte fund shumë shpejt, kur përgjegjësja do më shikonte vrëngër, do çonte një vetull përpjetë duke përsëritur fjalët e mia në slow motion: “Pra, ti d-ë-sh-i-r-o-n t-ë – l-e-x-o-sh- I-S-M-A-I-L K-A-D-A-R-E-N-ë ëëë?”
– Jo, nuk mund ta jap dot, pastaj çfarë klase the se ishe ti? Je tëpër e vogël për të lexuar letërsi të tillë, shko lexo Gianni Rodarin, Edmund De Amiçis, Mark Twain e të tjerë si këta, pra për moshën tënde.”
Mbeta unë me entuziazmin tim të rënë për tokë, që përpiqej të më tërhiqte zvarrë nga ajo biblotekë drejt korridoreve. Mirëpo shpirti luftëtar fshehur brenda meje, që deri në ato momente po flinte gjumë, se ç’pati një rizgjim plot hov, dhe solli në sipërfaqe idenë gjeniale që të ulesha dhe të lexoja aty, fundja në klasë librat nuk i merrja dot me vete se do fusnin hundët të gjithë për të parë se çfarë libri dhe të cilës lëndë isha duke lexuar.
Nxënësja më e mirë e klasës (që ditëve të sotme njihet si një nerd), ajo që ulej gjithmonë në bankë të parë, që nuk i shpëtonte asgjë pa konsumuar.. ajo që herë pas here shndërrohej në një gjallëse gllabëruese e gatshme për të përbirë çdo material dhe informacion të mundshëm që kishte sikur 0.1 përqind me mësmiet, do më afrohej dhe në një krizë paniku e sipër do dërdëlliste plot histerizëm: Libër? Kemi pasur ndonjë analizë libri? Apo libër për të lexuar..? Që unë s’e dij? Ismail? Ismail Kadare? Kur e kemi marr ne këtë, në cilën orë të letërsisë..? Na e ka dhënë zysha ekstra..? Mos ka qenë gjë lexim jashtëklase…?”
Jo, më mirë të ruhem nga kjo specie androide, por edhe nga qameti që do plasë nëse e çoj në shtëpi. Andaj më mirë të ulem dhe të lexoj këtu. Dhe aty, në ato rafte, në atë klasë të improvizuar si biblotekë, e gjithë jeta ime ndryshoi. Zbulova se të rrish me libra qenka shumë herë më mirë se të rrish me njerëz. Me përjashtim të çunave dhe gocave të gjimnazit, pasi ata ishin si një libër i gjallë. Por edhe me ta përsëri për libra flisnim, ose për autorë, ose për letërsi dhe art në përgjithësi. Zbulova kështu të famshmin Kadare, të cilin do ta ritakoja sërisht diku nga klasa e tetë për një novel të komunizmit socialist, propagandë e gjallë e kohës. Që normalisht duke qenë se e kisha pas lexuar fshehurazi, isha e parapërgatitur, dhe aty nisa të bie në sy tek mësuesja e letërisë. Fillova të shkruaja hartime “të mira”. Dhe në një të ardhme, pse jo mund të shkruaja edhe një librin tim.
Rrofsh moj Elsa!