| Nga DON MEHAJ |
Në ditën e parë
të muejit hânor
mjaullimën e micave
dëgjova pas mesnate.
Me qafën e zgjatun
kah t’shndritshmit yje
sikur kumtonin mistere
t’nji universi plot nyje.
–
Qielli i ndritun
prej nji fijëze-hânë.
Pse vallë,
nuk e kuptoj vajin e micave?
I drejtohem mistikëve ma të lartë,
udhëheqësve t’rrugës shpirtnore…
“Ma ‘epni shpjegimin ma t’zjarrtë
t’ktyne nishaneve hyjnore?”
E ato flasin me t’zgjedhunit
ma besnikët në rrugën e Hakut,
mbartës së dritës së Profetit,
Ashikët e lashtë të atij Konakut.
–
S’dua të jem i dënuem
N’përzhitjen e barit në zheg.
Prej kronit t’zemrës t’flladitem
ta shuaj etjen unë.
Në kjoftë hâna e parë,
hâna e fundit, në kjoftë
ma thoni nji lutje të fshehtë
ta mësoj përjetë unë.
Mos t’mbetem i vetëm
me vajin e micave në kopsht.