VENDLINDJA NË DIMËR

| Nga NAZIF AGALLIU |

O Zot, ma vër veshin

R.Frost

Nishani

Si i djegur nga rrufetë e shkretimit

Pa lisa e prralle

Si njeriu pa duar e pa gojë

Kraharori i malit çarë

Si eshtrat prej shpatës

E nga rënkimet rrjedhin jehonat e zërave të braktisur.

Janë shpendët, banorët e mbetur trishtuar

Dhe ujqërit që rendin pas ujqish

e kafshësh të uritura.

Rrotull rrënoja shtëpish të gjymtuara

nga heshtja e mungesa e fjalës.

Ç’trishtim kur tani u ngjajnë ato kokallave

Pas një gërmimi prehistorik.

Vallë a ka aty të gjallë?!

A ka këmbë njeriu?!

Rron lisi shenjëtor, ka mbetur varri i dashur?!…

Kush e pi tani kroin?

Kush ia sjell lumit fjalën?

Një qukapik i mërzitur ha mizën

në brinjët e qershisë.

Rënkimi i tokës së shkretë pret rikthimin e zërit.

Vendlindja ime

Ti po vdes në paqe!