RRETH NESH


Revista Letrare, Kulturore dhe Artistike Heshtje është një revistë vendore-rajonale e botuar në Shkup, por që kushton rëndësi të qenurit e arritshme (online) për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit si dhe për të gjithë shqipfolësit.
Para së gjithash, nuk do të ishte e mundur pa shkrimtarët që na janë bashkangjitur, me punimet e tyre të shquara letrare si dhe intervistat dhe biografitë. Sepse këta shkrimtarë, poet dhe artistë janë pasuri jonë e vërtetë. Për këtë arsye, e dimë se ata kanë akoma më shumë për të dhënë dhe për të përcjellë nga vetja.
Megjithatë, ka edhe një të vërtetë tjetër: se e kemi ndërmarrë këtë nismë për ta. Pra, për brezin e ardhshëm të shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve. Dëshirojmë që t’iu japim gjithmonë përparësi. Do të ofrojmë platformën tonë për artikuj letrarë për ju që do të kontriboni në gjuhën tonë shqipe, poezi që do të ushqejnë shpirtin tonë dhe veprat tuaja që do t’i shtojnë kuptim pasurisë tonë letrare.


Dhe jemi të vetëdijshëm për këtë!
Për të gjithë ata që presin në qoshet e veçuara në heshtje, ata që përpiqen t’i përshtatin me fjalë mendimet e tyre të ndrydhura dhe që  e kërkojnë veten me rrjeshta që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të tyre. E keni parasysh? Pikërisht për ata që duan t’ua dedikojnë krijimtarinë e tyre brezit të ardhshëm pa dembelizëm, edhe nëse bashkëmoshatarët e tyre aktualë mund të mos i lexojnë. Ata që nuk e braktisin lapsin, me shpresën se gjithsesi do të gjejnë një copë letër. Pavarësisht gjithçkaje, ata që shkruajnë me këmbëngulje, pavarësisht se me çfarë iu desh të përballen gjatë jetës, ende në stabilitet dhe qetësi, të vetëmuar, pa dijenin e askënd. Ata që duan t’i botojnë të gjitha ato vepra letrare që kanë grumbulluar që të lexohen edhe nga të tjerë, qoftë edhe në një revistë. 

Revista Heshtje nuk është një revistë akademike, por përqëndrohet mbi të gjitha tek letërsia, arti dhe artistët të cilët e marrin si detyrë t’i hapin rrugën krijimtarisë dhe veprave të tyre sipas idesë dhe botkuptimit lokal/rajonal, me largëpamësinë se ky botëkuptim do të reflektohet jashtë. 
Përveç kësaj, e kemi parë të udhës të prezantojmë gjuhën, stilin dhe këndvështrimin tonë.  Si fillim, do të jemi të përqendruar në sjelljen e tregimeve dhe poezive shqipe që ne shpresojmë se do të lënë gjurmë në pasurinë vendase letrare.
Është një lëvizje kulturore që synon të krijojë një “bibliotekë ekskluzivisht letrare” si trashëgimi për brezin e ardhshëm. Duke ecur në këtë rrugë, ne do të marrim me vete vlerat tona dhe do të përpiqemi t’i pasqyrojmë ato te brezi i ri duke u përpjekur të krijojmë një urë për t’i trashëguar edhe në të ardhmen.
Kur bëhet fjalë për shkrimin e emrit me “gërma të holla”, vendosëm që të përdorim pupëzën si simbolikë pasi është i përshtatshëm për rëndësinë, thellësinë dhe kuptimin e fjalës, që në të njëjtën kohë simbolizon edhe “përcjelljen e mesazhit” dhe tejçimin e tij nën kontekstin e një misioni.
Revista Heshtje, përpiqet të paraqesë një ide dhe pikëpamje me linjën e botimit që ndjek, të kultivojë një këndvështrim përmes sensibilizimit emocional dhe shprehjes së ndjenjave, dëshiron të përgatisë një ide dhe mendim. Me pak fjalë: një platformë e cila synon të rrisë cilësinë e përpjekjes letrare dhe intelektuale në gjuhën shqipe duke e kthyer në një krijimtari autentike e cila synon të forcojë marrëdhëniet e saj me këto troje.


MEDADIN LIMANI
HESHTJE
Revistë Letrare, Kulturore dhe Artistike
Themelues & Mbikëqyrës


SI TË BOTOJMË?

Me kusht që të arrijmë një bashkëpunim më të frytshëm dhe duke i kushtuar  një rëndësi të veçantë cilësisë së krijimtarisë që botojmë, ju ftojmë që të merrni parasysh udhëzimet e mëposhtme:

✓ Të gjitha dorëshkrimet duhet të jenë shkruar në zbatim sa më të afërt të drejtshkrimit dhe sidomos me përdorim të germave “ë” dhe “ç”.
✓ Dorëshkrimet duhet të jënë në formatin e një dokumenti Word.
✓ Të gjitha dorëshkrimet korrektohen dhe mospranimi i korrektimit nga autori mund të bëhet duke na kontaktuar në privat.
✓ Revista nuk merr përsipër të botojë të gjitha dorëshkrimet e dërguara dhe redaksia vendos për arsyet e mosbotimit duke u bazuar në parimet, vizionin dhe misionin e faqes..
✓ Revista nuk boton krijimtari që përcjell binde të hapura politike apo ideologjive fetare (duke përjashtuar këtu krijime me tematikë spiritualitetin), në mbështetje apo denigrim të asnjë force politike, grupimi politik apo shoqëror, përkatësie fetare dhe gjithçkaje tjetër që bie ndesh me normat shoqërore të kombit apo rajonit tonë.