KËSHTJELLA DHE MURTUR

| Nga HAMDI NUHIJU |

Në Lipjan të Kosovës gjenden dy fshatra karakteristik për nga natyra si dhe relievi. Në të kaluarën ata janë njohur me emra si Gadime e Poshtme dhe Gadime e Epërme. Pas vitit 1999, këto dy fshatra karakteristik marrin edhe tjera emra, Kështjellanë dhe Murtur. Kur flasim për Kosovën dhe bukuritë e saj turistike të gjithëve mendja na shkon edhe te Shpella e Gadimes. Ciceroni të pyet me habi, pse ende nuk e ke vizituar shpellën e Gadimes? Por, në relievin e shkronjave njeriu edhe hutohet me emrat të cilat janë ndryshuar me qëllim që të zhduken thuajse të gjitha gjurmët nga e kaluara okupatore serbo-jugosllave.

Kështjellanja dhe Murturi nuk janë karakteristike vetëm për Shpellën dhe mikëpritjen e ngrohtë shqiptare. Aty janë krijuar rrëfime të bukura. Aty thuajse për herë të parë janë gërshetuar e bukura dhe bisha. Bisha është zbutur, ka fituar karakteristika të ngrohtësisë dhe mirësjelljes. Është njëjtë si pikat e ujit të cilat mund të shpojnë gjithçka. Edhe dashuria që rrjedh nga zemra shpon gjithçka. Bisha nuk ka mundur për asnjë moment ti rezistoje të bukurës.

Malsori ishte dashuruar me Kosovaren. Malsori është një djalosh i ri nga Kështjellanja që vjen prej një familjeje patriotike kombëtare. E vetmja e metë e tij fizike dhe shoqërore është fati familjar, hasmëria që familja e tij kishte me dy familje nga Murturi. E kaluar e largët dhe e hidhur shqiptare. E kaluar e cila është zgjidhur përmes rrugës së plumbave dhe gjakut. Por, lufta në Kosovë, për një moment ndalu gjakëmarrjet dhe bashkoi shqiptarët deri në çlirimin e Kosovës. Ky fakt, nuk i zhbëhu traditat e liga që po na mbajnë peng nga e kaluara. Malsori e ka takuar rastësisht disa herë Kosovaren, një vajzë lozonjare e cila nëpër bjeshkë ka qenë me prindërit për të kërkuar qetësinë dhe rehatinë shpirtërore. Ai futet në kontakt me Kosovaren, fillojnë të takohen dhe flasin edhe vet, pa sytë e familjes. Betohen se me 17 shkurt, në ditën e pavarësisë së Kosovës do të martohen. Thellojnë ëndërrat dhe vizatojnë të ardhmen. Tek sytë dhe dëshirat e Malësorit dhe Kosovares janë shumë fëmijë dhe emra karakteristik fëmijësh. Në mesin e emrave, si favorit ndër to është Pavarësia. Po, Malsori dhe Kosovarja dalin kundër traditës famëkeqe shqiptare për lindjen e vajzave. Duan që fëmija i tyre i parë të jetë vajzë dhe tia lënë emrin Pavarësia. Një ditë, duke ia rrëfyer ëndërrat njëri-tjetrit, hasmori i Malsorit fshihet tek një kaçube në bjeshkët e bukura të Kështjellanës, gjuan me armë dhe e le në prehrin e Kosovares, të vdekur.