| Nga DRITAN SKENDERI |
S’dua të vdes vetëm, druaj
As dhe kam për të vdekur
Pa ty jeta më sheh të huaj
T’huaj vdekja s’ka për t’m’gjetur
–
Do ta marr imazhin tënd
Dhe kujtimin më të bukur
Do ta puth vdekjen, do ta çmend
Siç e puth zjarrin një flutur
–
Ja, të lutem, nëse m’lejon
Si pikturë të t’i përshkruaj
Ç’imazh për ty në shpirt m’jeton
E ç’kujtimesh për ty ruaj
–
Ngado këmba jote që shkel’
Vetëm gjelbërime mbijnë
Çdo fije bari q’e përkëdhel
N’lule që çelin lutje gdhijnë
–
Nga buzëqeshjet e tua t’ëmbla
Trandofile ashku çelin
Kur përpëlit qepallat tua
Mijëra flutura në çast lindin
–
Kur vallëzon duke kënduar
Lindin zogj nga zëri yt
Dallëndyshe nga vallet tua
Prehen tokë e qiell, të dyt’
–
Nga tundja e flokut tënd ujvar’
Tek vrapon lehtë, me gëzim
Ernat fryjnë aromë, nektar
Pihet, dehet shpirti im
–
Kur merr majë prej shpirtit tënd
Ftallon zemrën time t’sëmurë
Për çdo t’rrahur n’kraharorin tim
N’tëndin çelë nga një bozhur
–
Ktë imazh kam unë për ty
Ktë kujtim për ty e ruaj
S’dua t’vdes e t’mos kem sy
S’dua të vdes vetëm, druaj
–
T’gjithë kur vdesin më s’marrin frymë
Veç unë do vdes duke frymuar
Imazhin tënd do ngjesh me sqimë
Me të në varr do jem mbuluar
–
Kështu vetëm s’do kem vdekur
N’varr me ty do jem shoqëruar
Se kshtu vdesin ashik t’çmendur
Çmendurisht të dashuruar
–
E kur t’shohin imazhin tënd
Mynkir’ e Nekiri bashk’
S’do m’afrohen, do qëndrojnë n’vënd
S’ka sual ku ka veç ashk