SHKOPI I BABAIT

| Nga HAMDI NUHIJU |

Babai zgjohej herët në mëngjes për të dal nga shtëpia. Në kërkim të fatit dhe për sigurimin e jetës së fëmijëve, punonte pandërprerë deri në mbrëmje. Ditët dhe netët ishin shndërruar në ceremoni pune dhe derdhje djerse. Iu thanin djersët dhe përsëri djersitej! Punonte lloj-lloj punësh, por asnjëherë nuk e ka përzier punën e ndershme me atë të pandershme. Dëshironte që një ditë fëmijët e tij të mos kishin nevojë të punojnë punë të rënda! Të mos përballen me përbuzjet dhe nënçmimet që i përjetonte .

Babai, i pashkollë, e kishte ëndërr shkollimin. Si fëmijë , iu pamundësua kjo e drejtë. Rrethanat dhe kushtet e orientuan drejtë sigurimit të jetesës. Shkollën e shihte si dritën e vetme për ta mbajtur gjallë indin kombëtar dhe fetar të familjes. Ishte i bindur se një njeri i shkolluar e ka të vështirë që të shes vlerat . I shkolluari nuk del asnjëherë kundër Zotit dhe kombit, thoshte me zë babai.

Vitet kalonin, jeta rëndohej gjithnjë e më shumë, ndërsa babai nuk ndalej asnjëherë prej punës. Sakrifica e parë e këtij procesi të pandërprerë ishte shëndeti. Babai filloi të përdor shkopin! Nuk mund të ecte as edhe një pëllëmbë pa shokun e tij besnik. Fëmijët, të gjithë të regjistruar në shkollë, nuk dëshironin që babain e tyre ta shohin me shkop. Turpëroheshin! Edhe pse nëna gjithmonë fliste se nuk bën të turpërohesh prej nënës, babait, vëllezërve e motrave, megjithatë shoqëria, rrethi dhe logjika e fëmijëve ndikohej.

Babai kujdesej për librat, fletoret, lapsat dhe çantën. Gjithmonë para se t`ia jap fëmijëve, i mirrte erë! Kënaqej. Qante e gëzohej. Fakti se fëmijët e tij po merren me libra, fletore, lapsa, e bënte njeriun më të lumtur në botë. As që hezitonte të harxhoj të gjitha kursimet në libra, fletore, lapsa, çanta e rroba të reja për fëmijët. Vet ecte me lecka në verë e në dimër.

Një mëngjes, fëmijët duke shkuar në shkollë përballen me rrezikun! Një qen i palidhur i turret dhe tenton që t`i kafshoj. Pa bërë dy hapa, babai me shkopin e tij e largon qenin dhe shpëton fëmijët prej rrezikut.