| Nga DRITAN SKENDERI |
Në cep të buzës të të qëndroj
Aty shpinë ta kem, aty të prehem
Me tingujt e zërit tënd të vallëzoj
Me melodinë e zërit tënd të dehem
–
Në cep të buzës tënde të jetoj
Zëri yt të ngjizet me mua
Këngës kur t’ia thuash unë të jehoj
E të fluturoj mbi notat e tua
–
Në cep të buzës tënde t’i ndiej
Flladin dhe ngrohtësinë bashk’
Nga fryma jote që përkëdhel shtatë qiej
Pastaj mbi qiej të ngjitem me ashk
–
Në cep të buzës tënde të shkrihem
Me venën dhe mjaltin e ashkut kur pi
Ajka e shijes që shijon të bëhem
Përjetësinë ta kem në tënden brendi
–
Në cep të buzës tënde të varrosem
T’më lajnë, t’më kullojnë lotët e tu
Me aromën tënde të parfumosem
Nga bota i çiltër, siç erdha, të kem shku’
–
Në cep të buzës tënde të ringjallem
Kur emrin t’ma përmendësh e t’më kujtosh
Me zërin, me frymën, me buzët e tua të çmallem
Se i vdekur edhe më shumë do më mungosh