| Nga HAMDI NUHIJU |
Belkiza në këtë narracion nuk është Mbretëresha në kohën e Sulejmanit, pupëzës dhe mbretërisë Sebe. Buburreci nuk është insekti tej kohor që në kohën e krizës së njerëzimit për grurë simbolizon punëtorin e palodhur. Kohët ndryshojnë, personazhet ndërrohen. Vlerat përzihen, rolet zhvendosen, por Belkiza dhe buburreci vazhdojnë narracionin estetik të jetës.
Belkiza shtatvogël, e dashur, e këndshme dhe e dhimbshme, për çdo vikend vizitonte gjyshen në fshat. Futej në kopshtin e madh të mbushur me lule jasemin, speca, domate e mollë. Në anën tjetër ishin vreshtat e rrushit, pjeshka e limon që krijonin koloritin e ngjyrave dhe harmoninë e erërave. Puthte në ballë gjyshen dhe e mbushte me lule të ndryshme shaminë e saj.
Gjyshja mbushte një shportë me dardha dhe mollë dhe ia dhuronte Belkizës. Shpesh herë duke i treguar rrëfime të ndryshme nga e kaluara, Belkiza në prehrin e gjyshes flinte. Dëgjoheshin të rrahurat e zemrës të Belkizës dhe dëneset e të qarat e gjyshes. Qante për boshatisjen e fshatit, ikjen e të rinjve dhe të rejave nga vendlindja. Nipat dhe mbesat të rritur në skaje të ndryshme të botës.
Të nesërmen, Belkizja shëtitet ne fshat dhe takon koloninë e buburrecëve. Krrup-krrup duke ecur dhe sistemuar në strofullin e tyre. Një buburrec ngec në kolonë, Belkiza e kap me gishtat e saj të hollë dhe e afron tek sytë e saj. Për një moment i lëshohen një grup i pa mendueshëm buburrecash, e detyrojnë që ta lëshoj buburrecin nga dora dhe të ikë nga vendi.
Belkiza me vrap ikë në shtëpi, mendohet dhe pyet gjyshen:
-A duhet t`i zhdukim buburrecat?
-Jo, ia kthen gjyshja dhe vazhdon:
Buburrecat janë insekte inteligjente që punojnë në grup, kursejnë dhe simbolizojnë dashurinë për punën. Sikur njerëzit të vepronin si buburrecat, nuk do të kishte nevojë që fshatrat të boshatiseshin e shamitë e gjysheve të bëhen qull nga lotët.