SEKRETI

| Nga LYSIEN DISHA |

Edhe një ditë, sërish pa ty. Mendja rrotullohet në mendime që trazojnë stomakun dhe nuk e di në do ta kaloj edhe këtë herë. Ulem, ngrihem, sillem rrotull por asgjë nuk më qetëson. Sekretet që një femër mban brenda saj nuk janë të lehta as për t’u mbajtur e as për të bashkëjetuar me to. Të vështroj, po fle. Nuk e di se çfarë po ëndërron në këtë moment. Ndoshta mund të ndodh që një ditë do të ëndërrosh pikërisht sekretin tim. Ëndrrat janë kapriçoze, nxjerrin ato gjëra të cilat askush nuk e ka aftësinë për t’i zbuluar. Po ajo që më frikëson është se çfarë do të ndodh me pas. A do të mund të të shoh në sy? Sigurisht që do të mundem, sepse unë e bëj për çdo ditë një gjë të tillë. Po ti a do të mund të më shohësh në sy? Nuk besoj. E kam të vështirë të shoh veten në pasqyrë me atë që mbaj, për çdo ditë vuaj peshën e rëndë mbi supe. Nuk është faji im që ti nuk erdhe në kohën e duhur të jetës sime. Fundja as nuk e dija që ti do të vije. Por kush është faji im atëherë? Ah, po, faji im është që nuk munda të të rrëfeja këtë pjesë të jetës sime ku ti nuk ishe i pranishem. Ti nuk mund ta dish sa e vështirë është të jesh femër. Pikërisht atëherë kur ti ndodhesh para njeriut që ke pritur aq gjatë, nis dhe mendon që nuk është mirë të fillosh të tregosh legjenda të harruara nga vetë koha. Frika e humbjes zhduk dhe fshin arsyen njëherë e mirë. Po tani për çfarë frikësohem? Nuk e di. Ndoshta frika e të ndjerit vetëm, frika e braktisjes. Nëse do të kthehesha edhe një herë mbrapsht në kohë do të të rrëfeja gjithëçka, dhe tashmë e di që do të më kuptoje dhe do të kisha mbështetjen tënde, dhe tani do të isha sërish me ty por pa këtë peshë të rëndë mbi supe. E di këtë sepse të njoh, e njoh zemrën tënde, ashtu sikurse e njoh dhe e di më së miri që tani në ketë moment nuk do të ma falje kurrë.  Ti nuk do të guxoje të më lëndoje, por do më lije të vetme të mbytur në dhimbjen time. Është e vërtetë që dashuria dhe urrejtja janë si një shpatë më dy tehe, nëse nuk të pret njeri krah, është e sigurt që tjetri do ta bëj punën e vet.