| Nga LIRIDON HYSENI |
Nëpër lloje këmishash më ndërrohen ditët
Pezull rri para pasqyrës gjersa gjithçka rreth meje shpejton
Nuk habitem, madje as një fjalë nuk më flitet
Përpiqem t’a përkufizoj veten në kornizën që fytyrën m’rrethon
Ditë natë, natë ditë flakë e tërbim, zhgënjim
Mësim, huti shpresë e sigurt që do vdes
Jeta ime në sipërfaqe reflektuese, dënim
A nuk e meritova pak kohë para se pa kohë të mbes?
Asgjë s’më gjegjet gjersa koha për mua shpejton
Veç qënia ime pezull si materie e tërbuar ekziston
Mimikën e njëtrajtjshme rutina ma karakterizon
Zemrën e mbyllur bosh pasqyra ma përkufizon
Në kornizën e saj shtrihem i duruar
I mësuar me rrethanat e përshpejtuara
Veç këto këmisha kam për t’i ndërruar
Aq shpesh sa ju ndërroni fytyrat e pafytyra
Pak empati, a nuk e meritova?
Pezull rri, se dashninë e mishërova
Në këmishat e ditëpërnetshme
E intuitën e fjalës së mbetur peng
Në gjokset, zemrat e palëkundshme
Nuk thyhem, madje as nuk më lëvizet
Për sa koha ime në kohë të mbytur zhytet!