| Nga HAMDI NUHIJU |
Ti ike dhe nuk u ktheve më. Më le në heshtje, duke murmuritur fjalët që planifikoja të ti rendisja si gërsheta flokësh. Kape hapin si një tren me shpejtësi të lartë. Detyrove të ndalnin shpejtësinë e veturave, të ndryshonin rrjedhën e jetës. Edhe një lypsar që fshinte xhamat e veturave e ktheu kokën. I habitur, për pak të përplaset me një veturë. Dhe ja momenti i kobshëm i mosmarrëveshjes. Nga frika se do të shkaktonte aksident, shoferi i bie zërit të veturës duke shprehur nervozizmin e tij. Flet me duar, fytyra iu është mërrolur, është shumë shpërthyes.
Ike si hije, tek hija që kërkohet në stinën e diellit! E di, edhe dielli ka stinën, edhe pse shfaqet në të gjitha stinët. Secila krijesë ka kohën dhe momentin e vet. Orbita pa prezencën e diellit mund të jetë gjithçka tjetër! Ndoshta e mbivlerësoj mendimin dhe e nënvleftësoj ndjenjën, por rrezatimi i urtakëve është diell!
Urtak, të lutem, kthe kokën mbrapa! Dhe shiko kënetën e tharë, afshin turbullues e dyert e pambyllura nga mungesa e fjalëve, emocioneve, drejtësisë, dijes e moralit. Po, atij morali që rri si çekan në duart e urtësisë për t`i thyer të gjitha arrat e urrejtjes.
A e dini, ana e kundërt e urrejtjes është lumturia?! Ndoshta në fijet e peshores sytë fillojnë që të zgurdullohen. Kërkojnë kuptimin tek e palogjikshmja. Filozofi për jo-filozofët!
Toka është çarë si dheu në thellësinë e pyllit. Është e habitshme! Çdo ditë e kalojmë atë rrugë, as nuk ndjemë e as nuk pamë të çarat. Sot kaluam andej pari dhe na ra në sy, toka, çarja, qielli dhe pëllumbi.
Atë ditë kur ti ike, trungu filloi të qaj, toka të çahet e pëllumbat të zukasin.