Në vazhdën e aktiviteteve të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, të martën (më 22 nëntor 2022) në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup do të mbahet sesioni konferenca mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë” që organizohet përkitazi me 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Përveç konferencës shkencore, do të hapet edhe ekspozita dokumentare e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Tiranës me titull “Nga alfabeti në drejtshkrim”, ndërsa me këtë rast do të promovohet libri “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa”.
Konferenca shkencore organizohet nga tri institucionet shkencore simotra të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit: Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Instituti e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.