VLERA PRAGMATIKE E FIGURËS FEMËRORE

| Nga EMINE BORICI |

Ermelinda Alushani Myzeqari është një ndër shkrimtaret bashkëkohore që në veprën e saj ka përdorur teknika të ndryshme të rrëfimit për të treguar origjinalitetin e stilit, veçantitë e një shkrimtareje që njeh mjeshtërisht teknikat narrative prozaike. Pa ngurim mund ta quajmë përfaqësuese të letërsisë së mirëfilltë e cila me brumin artistik i prezantohet publikut me veprën “Labirinthet e shpirtit”. Modernitetin e krijimtarisë e vërejmë në avangardimin e proceseve të ndryshme duke përmendur thyerjet kohore prolepsike dhe analepsike si një shenjë përcaktuese e rrymave kapërcyell modernizëm-postmodernizëm. Vepra në pamje të parë duket e kushtëzuar, e ngërthyer nga fragmentarizimi, por nga koherenca dhe kohezioni i tekstit kuptojmë linearitetin zinxhiror mbi një kuptim, mbi njeriun, i cili është i etur të marrë trajtat e mbinjeriut migjenian. Si i tillë lodron për të qenë pjesë e lirikut romantik deradian, por sërish nuk familjarizohet me këtë diapazon duke kaluar në absurdin e kohës për t’u vetquajtur personazh kamynian. Por të gjitha këto itinerare njeriu i Myzeqarit nuk frymon i qetë e përzgjedh të përfaqësohet ashtu siç është; njeri postmodernist i cili do të qëndrojë i zhveshur nga çdo parim social, psikologjik, etik e moral. Bilateraliteti i unit midis së mirës dhe së keqes e pozicionon individin e Myzeqarit të përzgjedh duke e detyruar të shkojë te pozitivja edhe pse rruga drejt saj ka vështirësi e lodhje. E si mund të ndryshojë njeriu!?
Qenia njerëzore ‘braktis ‘sjellje kur përballet me mendime e situata të frikshme siç është vdekja, por sapo e kalon, harron dhe i rikthehet normalitetit të gënjeshtërt sikundër ndodh edhe te skica “ Drejt botës që s’ka dritë” njeriu vendoset përballë me realitetin e hidhur të konceptit jetë ku pozicionimi i rrëfimtarit është i dukshëm ndaj frikës..
Nëpërmjet konceptimeve të ndryshme rrëfimtare, romancierja rrok të gjitha momentet e personazhit si: veprimet, aktivitetet, marrëdhëniet me njëri-tjetrin duke krijuar në këtë formë dinamikën e jetës brenda romanit, brenda Botës së Trilluar. Këto anë kanë të bëjnë me objektin e rrëfimit i cili ndërtohet natyrshëm dhe subjekti rrëfimtar ndjehet në mënyrë të tërthortë, të veçantë duke e riaktivizuar lexuesin të jetë i vëmendshëm ndaj simbolikës së tekstit. Lineariteti i këtyre veprimeve jetësohet edhe brenda kësaj skice ku personazhi protagonist, vajza, është e demoralizuar nga pamja trishtuese e një varrimi për të cilën ka momente reflektimi e kupton që çdo kënaqësi e kësaj botë përfundon në dhomën e errët të varrit të rrethuar me pesë pllaka të trasha që “siguron” vetminë e mosprezencën e insekteve tokësore. Numërori pesë mbetet në kuadratin e një numri tek që folklori ynë e ka tipar dallues e Myzeqari e përdor për funksion stilistik duke e theksuar distancimin e botës së gjallëve me atë të vdekurve, pikërisht nëpërmjet këtyre pllakave e një grusht dheu. “Duhej të vendoseshin pesë pllaka. Të pesta ishin të njëjta, të trasha dhe ngjyrë hiri.”
Kjo zymtësi i largohet protagonistes me monotoninë e jetës duke e zvetnuar si pamje e duke u angazhuar me jetën studentore, me provimin, ndonëse provimin final e vrojtoj, përsëri parapëlqeu ta harronte njeriun që kishte vdekur. Enigmatike mbetet fakti nëse njeriun në fjalë e kishte apo jo një të afërt, por ne marrim mesazhin hyjnor që jeta qenka një provim dhe, se po të jesh i mësuar nga gabimet, mirësia në raport me botën është e shumëfishtë, e antonimi i saj sjell zemrën e sëmurë. Kjo duket te vajza, që është personazhi që udhëheq ngjarjen, tipizohet e këndshme, e bukur me një lëkurë të bardhë si qumësht që flirton me djalin me ngjyrë, që përshkruhet jo vetëm në pamje, por edhe në shpirt
“ E si mundet vallë që ai, me ngjyrë, që në dejet e shpirtit të tij vlon gjak i zi, mund të lidhet me një vajzë të fisme të rangut shumë të lartë mbi të gjitha krejt e bardhe, e pastër.”
Paragjykimi është sëmundja më e keqe që shekulli ynë po përballet pa e vlerësuar individin nga potenciali i tij, por refeksioni i personazhit vajzë është dytësor sepse ajo thotë “ Po ju harroni se ai është i brishtë dhe mendja e tij është në gjendje të na fundosë të gjithave atje, ku me të vërtetë jemi pa veshje, luks dhe etikë. Atëherë ne do ta kuptojmë që jemi shumë më pak se ai.” E mbron këtë qenie të pafajshme që nëna natyrë e fali të tillë përpara shoqërisë egoiste që kishte, e në vetmi me këtë djalë ç’bën? Ia thyen zemrën e ia copëzon shpirtin për atë çka ai mendon se ishte, një lodër në duart e të tjerëve
“…Hap sytë dhe shoh se ka një dritëz gëzimi…papritmas dëgjoj “Pse? Pse pikërisht mua? E njoh natyrën tende dhe ti je e pastër. Pse pikërisht me mua që të shkelësh sadopak pafajësinë tënde?
Jo-, i thashë,- s’prisha asgjë brenda vetes, veçse u mundova të rregulloj diçka të lënë pas dore prej të tjerëve.
Ah jo!- më tha,- vetëm këtë s’duhet të ma thoshe.”
Fragmenti i sipërcituar është dialogu kyç që mbart kuptimin e të gjithë skicës, të gjithë veprës letrare madje kapërcen edhe në Botën e Njëmendësisë ku njeriu do të përmbushet e të krijoj strehezën e ngrohtë të dashurisë, e kur nuk e përplotëson me një individ udhëton e bëhet nomad në shpirtra të tjerë për t’u qetësuar pa kuptuar që gjurma në zemrën udhëtare ka shkaktuar mjerim. Po personazhi ynë?
“ Nxitova te i dashuri im. Ai po më priste në rrugë. Ishte i bukur, i mirë.”
Po zemra e djalit me ngjyrë!?
Paradoks i pazgjidhshëm krijohet më këtë situatë ku na shfaqet prania e dy meshkujve; njëri që shfrytëzohet për mungesa të tjetrit në dobi të femrës. Dashuria na shfaqet mbase si nevojë fiziologjike, mbase shpirtërore, por ama nevojë përplotësuese e kushtëzuar nga individi. Dashuria më e pastër që fiton një kuptim primar është për vetveten duke mos u penduar për veprimet. Shiu lag vajzën e ajo me duar të laguara fërkon fytyrën, sytë, buzët që del simbol jo i një katarsisi, por ndjesi melankolie duke kujtuar përsëri punëtorin e varrezave…
“Punëtori i varrezës me siguri sot ka punë. Gjithnjë, edhe kur bije ky shi i qetë, ai ka punë.”
Pra, retrospektiva e përdorur nuk na dërgon te keqardhja për jetën që në një segment të caktuar sjell derivatin e vdekjes, por fundi na përcakton domethënien e fillimit, qe panorama e atij varrimi fokusi ishte varrosësi dhe jo i varrosuri.
Loja narrative që përdor Myzeqari do guxoja ta ashtuquaja si titulli i veprës që bën parantezën hyrëse në kuptim, lojë labirinthike për të cilën mendon se arrin të perceptosh një veprim të një personazhi dhe krejt papritur ngjarja merr një rrjedhë tjetër duke asgjësuar mendimin e parë.
Këto veprime vijnë si një ndikim i fuqishëm e tipareve postoderniste duke e ashtuquajtur vepër epike të kësaj periudhe me të gjitha tiparet e veçantitë duke krijuar konglomeratin shumëngjyrësh alushjan.