HARRESTAR

| Nga DRITAN SKENDERI |

Si je? Si ja del në këtë jetë? – e pyeti uji shkëmbin.

Si të të them…, ashtu si dukem, qëndroj krenar, i pamposhtur, i patrembur, pa dhimbje si njerëzit… Për çdo ditë i shoh thyerjet e mia dhe pjesët që më bien në tokë, rrokullisen, dhe njerëzit tek mi shkelin pjesët e trupit tim, pa dhimbje, i hudhin, i gërryejnë, bëjnë zhavorr e pluhur dhe kur nuk u dalin, vijnë më coptojnë nga trupi im, për së gjalli, sepse unë pra s’ndiej dhimbje, jo. Qëndroj i fortë, dhe krenar gjithashtu. Po ti? – e pyeti shkëmbi?

Me gjithë ngjashmëritë që kemi, jam disi në huti… i fortë si ti nuk jam, megjithëse fuqi kam për të të vërshuar dhe grimcuar edhe ty, ndaj njerëzve jam… “i butë”. U shërbej më shumë se ti, ua shuaj etjen, i pastroj, i ujis tokat dhe bereqetin e tyre, i freskoj ata dhe ajrin që thithin madje dhe ua kënaq shpirtin me muzikalitetin dhe melodinë e rrjedhës sime në vazhdimësi dhe pa ndërprerë… Por ja që po ata janë që më pështyjnë, më ndotin, më shpërdorojnë orë e çast dhe atë pa vrarë mendjen fare se një ditë, në mos i rrëmbefsha, mund të avulloj i tëri…, dhe të ngjitem nga kam ardhë. Me që ra fjala, unë vërtetë nga qielli zbrita, por a di se nga ty gufoj…!

Edhe këtu kemi vetëm një dallim, se përndryshe, nga qielli jam edhe unë, – ia ktheu shkëmbi – vetëm se ti ke zbritur nga qielli, kurse unë kam rënë.

Vërtet, ashtu është – vazhdoi uji – me të gjitha këto përjetime, plagë pa vuajtje, sëmundje pa dhembje, sa sekrete mbajmë ne, sikur ta kuptonte njeriu gjuhën tonë…, kush e di si është halli i tokës, që na mba neve dhe ata, njerëzit…

Toka është ngurtësia më e lëngshmë, fortësia më e butë, ashpërsia më suptile në këtë egzistencë – tha shkëmbi – jo më kot është zemra e egzsitencës, e gjithësisë…

Toka zemra e egzistencës?! – pyeti i habitur uji. Po a nuk është edhe ajo nga qielli?

Po, por ajo lindi, më mirë me thënë doli nga qielli, pra nga gjithësia. – iu përgjigj shkëmbi. Po sa pa gjithësia bukurinë dhe dritën e së Vërtetës, ashtu siç ishte e fjetur dhe e turbullt si tymnajë, nuk duroi dhe shpërtheu në çast nga dashuria, u coptua nga zëri kumbues që nxori heshtja, ky sekreti i mbjellë dhe i mbërthyer në kraharorin e saj dhe, nga djegët e mallit që ndjeu flakët morën jetë… nga coptimi e pëlcitja, trupi iu nda në pjesë të mëdha e të vogla, dhe aq të shumta e të ndryshme, sa që u shndërrua në pikturë të gjallë që po frymon përmes formave, figurave, ngjyrave e vijave të hedhura në pëlhurën, pasqyrën e egzistencës, të cilave njeriu u dha emra ashtu si deshi: galaktika, yje, vrima të zeza, mjegullnaja, qiej, planete…, ndërsa zemrën e gjithësisë e quajti Tokë.

E shembëlleu me thesarin e sekretit që mba në kraharor, me zemrën. – vazhdoi uji mendueshëm, duke rrjedhë bashkë me mendimet e tija.

Nuk është e rastit që toka ruan shumë sekrete, ashtu si zemra e njeriut. Por përse njeriu nuk sillet si toka, me durim e me qetësi…, aq më tepër që nga toka është…?!

Pikërisht sepse edhe ai mendon se është nga toka dhe, duke mos e njohur veten, nuk e njeh as tokën, – ia ktheu shkëmbi – ec në tokë e ndër njerëz me krenarinë dhe ngurtësinë time, qëndron në vend me lëngshmërinë tënde dhe moçalizon rrethin e vet, dhe i vë flakën me durimin dhe me qetësinë e tokës gjithçkaje që i jep jetë e dashuri… Harrestar. Harron se nga toka ka kostumin, e në tokë është mysafir. Ashtu siç edhe të thash, kur nuk e njeh veten, s’njeh as nikoqirin e as rend e kuvend në konakun pesë-gjashtë ditësh që pushon. I vë flakën me qetësi dhe shkon. Shto kësaj që as flakët s’janë të tijat… Por kur kthehet nga ka ardhur e kupton se ka djegur veten, mbase me po ato flakë… Prandaj nuk i ndien dhimbjet dhe vuajtjet tona këtu, se këtu ai sundon.