NJË E VËRTETË E PAKËNDSHME E NDIKIMIT TË NDRYSHIMEVE KLIMATIKE

| Nga RILIND DAUTI |

Përkundër çdo përpjekje për ndalimin e saj, viteve të pesëdhjeta të shekullit XXI ndryshimet klimatike e bënë dëmin e tyre. Në fakt, e tërë përpjekja e shteteve në vitet 2020 për ta mbajtur ngritjen e temperaturës mesatare globale jo më shumë se 1.5 gradë celsius, ishte vetëm për parandalimin e efekteve më të dëmshme të ndryshimeve klimatike në vend se për luftimin e tërësishëm të së njëjtës.

Por edhe nën 1.5 gradë celsius më shumë, ndryshimet klimatike i shkaktuan të këqijat që ekspertët i kishin parashikuar që do të ndodhin: rritje të nivelit të detit që çoi në zhvendosjen e qindra milionë njerëzve, zhdukje të llojeve të shumta të bimëve dhe kafshëve, në një pjesë të Tokës thatësi ekstreme kurse në një pjesë tjetër vërshime masive…

Por ishte një vend specifik në Tokë ku ndryshimet klimatike çuan te diçka që as shkencëtarit më të mirë në botë nuk i pat shkuar në mendje si mundësi.

Pas teleskopit të famshëm James Webb të lansuar më 2021 i cili bëri zbulime me të vërtetë epokale, më 2051 nën bashkëpunimin e NASA-s amerikane dhe ESA-s paneuropiane, u lansua edhe një teleskop tjetër revolucionar. Njëjtë si ai i pari, as ky tjetri nuk u vendos në orbitën e një trupi natyror qiellor por u dërgua në njërën nga pikat Lagrange, më saktë në pikën L5. Qëllimi i këtij teleskopi ishte që të detektojë radiacion të errët. Megjithatë, pritjet ishin për detektim të tij në distanca gjigande jashtë në hapësirë, për këtë arsye të gjithë u shtangën kur në verën e vitit 2053 teleskopi lajmëroi për detektim të rrezatimit të errët në Tokë!

Kontrollorët e teleskopit në Institutin Shkencor Teleskopik Hapësinor (Space Telescope Science Institute) në Balltimor, SHBA, u kapën në befasi. Menduan mos është ndonjë defekt i mjetit që kushtoi dhjetëra miliarda dollarë. E lëshuan sistemin vetdiagnostifikues, por gjithçka ishte në rregull. E bënë edhe procedurën “tradicionale” për mjetet elektronike të fikjes dhe ndezjes me shpresë se problemi do të rregullohet vetvetiu, por teleskopi sërish e thoshte të njëjtën gjë. Më në fund, NASA dhe ESA u morën vesh për një mision hulumtues në vendin në Tokë ku teleskopi hapësinor pretendonte se ka zbuluar rrezatim të errët: diku në pjesën veriore të Maqedonisë së Veriut!

ESA vendosi kontakt me qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Për shkak të misteriozitetit të gjetjes dhe rrezikut për shpërndarje të panikut, operacioni hulumtues do të mbahet sekret nga publiku.

Përmes instrumenteve në Tokë u pikas saktë se prej nga vinte sinjali i rrezatimit të errët. Ishte fshati Varagjel në Komunën e Dërvenit, që mysafirëve nga ESA iu shpjegua që është pjesa ndërurbane e Qytetit të Shkupit.

Nga Programi Shkencor i Agjencisë Hapësinore Evropi-ane (European Space Agency Science Programme) erdhën një astronom, një astrogjeolog, një astrokimist, një astrobiolog, dhe shumë fizicientë, ndërsa qeveria e Maqedonisë së Veriut kontribuoi me shoferë që do t’i transportonin mysafirët nga prestigjiozja ESA, si edhe me dy punëtorë të Drejtorisë për Mbrojtje nga Rrezatimet e Maqedonisë së Veriut: Alban Ademi dhe Igor Kocevski.

Mysafirët nga ESA u morën nga aeroporti i Shkupit që ishte në qoshin tjetër të qytetit. Në rrugë e sipër drejt hotelit në qendër të qytetit, nuk mund ta kuptonin përse mbishkrimet nëpër rrugë nuk ishin uniforme por diku ishin në tre gjuhë ndërsa diku vetëm në dy, ndërkaq, te ato që ishin në tre gjuhë, shpesh e vërenin që njëri përkthim i tekstit (fjala ishte për atë në gjuhën shqipe), ishte i shkarravitur.

Të nesërmen shkuan te fshati Varagjel. Sinjali për rrezatim të errët doli që të jetë nga një mikrotoponim i njohur për fshatarët, i quajtur thjeshtë “te shpella”. Ishte tokë shumë shkëmbore, dhe nga jashtë me të vërtetë dukej se kishte një hyrje që çonte drejt një vendi të mbyllur, por brendia e “shpellës” nuk shkonte më shumë se dy metra. Kjo ishte hiperbolizim tipik për mikrotoponimet fshatare: e quajnë lum edhe pse është një përroskë e hollë uji, e quajnë mal edhe pse është thjeshtë një kodër e vogël, e kështu me radhë… Banorët lokalë u shqetësuan për ardhjen e një kordoni veturash që vërehej se nuk është kolonë dasme që kanë ardhur ta marrin një nuse, por banorët i qetësuan me një “gënjeshtër të bardhë” se bëhet fjalë për gjurmim arkeologjik.

Atje “te shpella” u vendos ekuipazhi i Programit Shkencor të ESA-s dhe ndihmësit lokalë nga Maqedonia e Veriut. Instrumentet “plasnin” nga detektimi i rrezatimit të errët.

Astrogjeologu i ardhur me ESA-n, Karles Borras nga Republika e Katalonisë, vendosi të hyjë brenda asaj hapje shkëmbore për të marrë të dhëna më të sakta. Bashkë me të shkoi edhe Igor Kocevski nga Drejtoria për Mbrojtje nga Rrezatimet e Maqedonisë së Veriut. U veshën me skafandër për mbrojtje nga radiacioni dhe u nisën.

Nëse dikur ai vend nuk e kishte merituar të quhet shpellë sepse ishte minimalisht i thellë, tashmë e meritonte këtë emërtim sepse shkonte përtej asaj që mund ta ndriçonin dritat e dorës me bateri!

Astrogjeologu i huaj Karles Borras dhe Igor Kocevski ecën pak deri sa iu ndërpre kontakti me bashkëpunëtorët që pritnin jashtë, por përkundër kësaj, ata e vazhduan rrugën. Astrogjeologu bënte shumë fotografi dhe merrte mostra.

Do të kishin qëndruar shumë më gjatë por fatkeqësisht nisën ta ndjejnë veten keq kështu që u nisën mbrapa që të dalin prej shpellës.

Ndërprerja e radio-kontaktit kur hyn në thellësinë e tokës është e kuptueshme, kështu që ishte e pritshme edhe për ekuipazhin që mbeti jashtë. Por astrogjeologu katallan dhe Igor Kocevski u vonuan shumë. Kaloi më shumë se një orë nga koha e paraparë për dalje nga shpella. Kjo i brengosi të tjerët që mbetën jashtë.

Punëtori tjetër i Drejtorisë për Mbrojtje nga Rrezatimet, Alban Ademi, doli vullnetar që edhe ai të hyjë në shpellë dhe të shohë se çfarë ka ndodhur me ta. Të tjerët u munduan ta zhbindin por ai këmbëngulte.

Siç ishte protokolli, dhe thoshte logjika e shëndoshë, edhe ai e veshi skafanderin, dhe Albani menjëherë u nis.

Fatmirësisht brendia e shpellës së sapozbuluar nuk çonte në labirinte por shkonte në një drejtim të vetëm. Pas rreth 40 minutash ecje të shpejtë, më në fund Alban Ademi i gjeti kolegun Igor Kocevski dhe shkencëtarin Karles Borras. Të dy ishin të shtrirë për toke dhe pa vetëdije. Dozimetri i radiacionit ekzotik që Alban Ademit ia dhanë mysafirët nga ESA u “çmend” nga sasia e rrezatimit të errët të detektuar në trupat e Igor Kocevskit dhe Karles Borrasit. Kot e kot e paskan lodhur veten që ta mbajnë gjithë atë skafandër, mendoi i brengosur edhe për fatin e vetvetes Alban Ademi. Por si një profesionist i vërtetë, mbeti i koncentruar te misioni i momentit, e që ishte evakuimi nga shpella i Igor Kocevskit dhe Karles Borrasit, qofshin dhe të vdekur.

Pasi që i afroi mu te dalja e shpellës (por nuk i nxori jashtë që mos të ketë kontaminim më të madh rrezatues të ambientit) me radio-lidhje u shpjegoi të tjerëve që i ka nxjerrë të dy nga brendia e shpellës dhe të dy janë pa vetëdije. Duhet të vijë një mjek që t’i kontrollojë. Në ndërkohë Alban Ademi e kontrolloi torbën e astrogjeologut dhe përveç fotoaparatit, e pa se në të kishte shumë qeska të mbushura me dëshmi të mbledhura.

Pas një ore, me urgjencë e sollën një mjek nga Qendra Klinike e Shkupit, quhej Amir Mexhiti. Edhe atë e veshën me tesha mbrojtëse dhe e drejtuan nga të shkojë. Hyri në shpellë, eci pak dhe i pa të shtrirë dy veta, dhe një ulur që po e priste. Ky i fundit ua hoqi atyre të shtrirëve pjesën e sipërme të skafandërit ashtu që mjeku ta bëjë punën e tij. Mjeku i shikoi pak të dy, dhe erdhi në përfundimin që edhe astrogjeologu edhe Igor Kocevski janë të vdekur. U erdhi keq të dyve, u erdhi keq edhe të tjerëve që i dëgjonin përmes radios. Mjeku Amir Mexhiti e pyeti edhe Alban Ademin se si ndjehet, ndërsa ky u përgjigj që nuk vëren asnjë ndryshim, ndjehet normal si gjithmonë.

Sa i përket atyre që nuk kishin kaluar aq lehtë, tani radha ishte për një protokoll tjetër në raste të tilla: që të vdekurit t’i fusin në arkivole prej plumbi. Këto të fundit arritën pas dy ore, i futën të vdekurit aty, ndërsa Alban Ademin e futën në automjet special dhe e dërguan në karantinë sepse edhe ai i është nënshtruar një doze të madhe rrezatimi (mjekun Amir Mexhiti e lëshuan sepse nuk detektuan dozë aq të madhe).

Trupat e astrogjeologut katallan Karles Borras dhe Igor Kocevskit u dërguan për obduksion te selia e ESA-s bashkë me mostrat e mbledhura heroikisht nga i ndjeri Karles Borras dhe me pjesën e mbijetuar të ekuipazhit që erdhi në Maqedoni të Veriut.

Përmes datimit radiokarbonik të mostrave të mbledhura kimistët e zbuluan që vjetërsia e materies organike është rreth 100 mijë vjet, ndërsa materia e zezë nuk mund t’i nënshtrohet një studimi të tillë por sipas gjitha gjasave edhe ajo është po aq e vjetër. Ky zbulim në atë fshat të Shkupit shkencëtarëve ua mundësoi ta zbulojnë edhe natyrën e materies së zezë, e që dolën të jenë grimca nën-atomike barionike nga të cilat me gjasë e kanë prejardhjen edhe grimcat tjera më të mëdha.

Por prej nga materie e zezë në Tokë? Hipoteza kryesore e astronomëve është se bëhet fjalë për ndonjë meteor që ka rënë shumë kohë më parë (me gjasë rreth 100,000 vite më parë sa është përcaktuar mosha e karbonit në mostra) dhe në të çuditërisht ka pasur edhe materie të zezë.

Sipas gjeologëve, ky meteor bashkë me atë far materien e zezë që e përmendin astronomët, pas rënies në Tokë gjatë kalimit të mileniumeve është mbuluar nga dheu dhe akulli, ndërsa tani rrezatimi i saj po del sërish në sipërfaqe si rezultat i ndryshimeve klimaterike që e kanë shkrirë akullin rreth saj dhe uji nëntokësor ka çuar edhe në lëvizje të dheut (ngjashëm si sinkholes-et famëkeqe).

Ajo që i shtangu shkencëtarët në Programin Shkencor të Agjencisë Hapësinore Evropiane ishte një lajm tjetër nga Shkupi: ai far punëtori lokal i Drejtorisë për Mbrojtje nga Rrezatimet, Alban Ademi, asnjëherë nuk është ankuar për dhimbje, është tërësisht i shëndetshëm, dhe në afat prej 10 ditësh është zhdukur rrezatimi prej trupit të tij!

Kjo ishte një çmenduri e madhe. Te trupat e Karles Borrasit dhe Igor Kocevskit rrezatimi i errët për një kohë të shkurtë kishte çuar në vdekjen e tyre ndërsa obduksioni zbuloi se në shiritin e ADN-së së tyre kishte bërë kërdi, ndërsa ky far Alban Ademi e paska kaluar “si bos”!

Për ta zbuluar misterin e morën edhe Alban Ademin te ESA. E futën në rezonancë magnetike, i morën pak urinë, dhe ia morën një sasi të madhe gjaku për një grumbull analizash.

Më në fund misterit i dha përgjigje një mjek luksemburgas i medicinës molekulare: pacienti Alban Ademi e ka një mutacion recesiv që e mbron nga tipi i rrezatimit që në astronomi njihet si “radiacion i errët”!

Por përse te ky pacient ky mutacion?

Çështjen e shqyrtoi një panel interdisiplinar i përbërë nga një astrobiolog, gjeolog, mjeku i lartpërmendur i medicinës molekulare, dhe një klimatolog. Ata erdhën në përfundimin se meteori që ka rënë para 100 mijë viteve është mbuluar nga toka dhe akulli, ndërsa mbulesa është varur nga klima që gjatë mileniumeve ka ndryshuar disa herë. Paraardhësit e Albanit kanë jetuar afër vendit ku ka rënë meteori që nga kohërat më të lashta për njeriun, dhe ata kanë qenë aty, fjala bie, në kohën e “Periudhës së Ngrohtë Romake” të 250 viteve para erës sonë kur natyrisht u paraqit një klimë në mënyrë jotipike e ngrohtë, dhe atë kohë me siguri në atë vend po ashtu ka patur rrezatim të errët, ndërsa siç dihet, sot ai është shkaktuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Duke qenë se kanë jetuar aty me mijëra vjet, paraardhësit e Albanit kanë qenë të ekspozuar në dozë të vogël rrezatimi jovdekjeprurës, dhe ashtu si një dozë e vogël virusi që çon në imunitet ndaj një doze shumë më të madhe, kjo sasi e vogël rrezatimi ka bërë që te ata të ndodh një mutacion recesiv që mbron nga një sasi shumë më e madhe e rrezatimit të errët! Në këtë përfundim erdhën studiuesit më të mirë evropianë të angazhuar nga Agjencia Hapësinore Evropiane dhe këto gjetje i bënë publike.

Pa dyshim se me këto gjetje nuk pajtoheshin shumë ekspertë të Maqedonisë së Veriut. Te ata kishte ndikim të hershëm edhe një tjetër tip i rrezatimit të errët, që nuk kishte prejardhje kozmike por ishte rrezatim i errët me origjinë nga një qytet i bardhë më në veri, dhe nga ky ndikim ata nuk i mbronte as skafanderi më i sofistikuar i Evropës!