| Nga DRITAN SKENDERI |
Mes ethesh të ftohta e gjysmë freski
Mbështjellë n’drithërima shprese iluzore
Shpirti m’luftonte t’më kthejë gjallëri
T’mbijetoja a t’vdisja, me ty për dore
–
Në agun e mjegullt nga avujt e shpirtit
Dhe sytë fërguar nga malli për ty
Prisja i zhvatur t’më rrokë dritë e diellit
T’ndiej ngrohjen e fundit kur t’shihja në sy
–
Në yllin m’ë t’largët, më t’ndritshëm në qiell
Të rrahmet kjo zemër duke rralluar
Një lule shprese dikur që pat’ mbjell’
Priste t’çelë Ti, që t’mundej gjallëruar
–
Në frymën e fundit lëshuar ngadalë
Tek prisja t’çlirohem nga ky mundim
Shpirtin nga trupi s’lejoi t’më dalë
Një pikë vesë që ra n’kraharorin tim
–
Pash qiell e hënë tek luteshin për mua
Por shpresat m’u shuan kur nisi dhe shi
O Zot…!! Vesë e shi qenë lotët e tua
Dhe hëna mbi kokë më ishe ti