GRATË E BARCELONËS

| Nga NADA DOSTI |

Vendos të bëhem e zonja e vetes duke ndërmarrë një shëtitje vetëm nëpër rrugët e Barcelonës. Shkoj të vizitoj një muze në Palau Centelles. Më zë syrin një murale ku shkruhet: Mama Estoy Bien (Mami Jam Mirë). “Sigurisht vepër e një artisteje grua” mendoj. Bingo! E gjeta!

Aty është një nënë me vajzën e saj të vogël ndoshta dy ja maksimumi tre vjeçe, e cila ende nuk ka përvetësuar artin e të folurit por belbëzon bebshe disa fjalë që mezi kuptohen. Nëna me flokë të zjarrta dhe fustan andaluzian me motive prej mollave të kuqe, si Shtriga e Portobellos, i shpjegon historinë së bijës. Hera e parë që shoh një nënë-ciceron. Me siguri duhet të jetë një profesion vendas, mendoj. Në majë të gështërinjve, si një detektive private, nisa t’i ndiqja nga pas nënë e bijë. Po më tërhiqte kaq shumë ky peisazh natyror i kësaj mrekullie që quhet mëmësi se sa vetë muzeu në fjalë. Një mrekulli e cila mbërthen në vetevete art, histori, letërsi, dhembshuri, durim, dhe mbi të gjitha pasionin për t’i përcjellur së bijës këtë eksperiencë magjepsëse, edhe pse plotësisht e bindur se e bija as nuk po kuptonte as nuk do mbante mend gjë. Por me siguri shenja e kësaj dite, kujtimi i kësaj vizite do mbetej e shënuar në mendjen dhe shpirtin e saj. Dhe unë, që ndoshta mund të kuptoja prej shpjegimeve të cicerones-nënë pak më shumë se vajza në karrocë, përsëri dëgjoja më kërshëri çfarë kishte për të thënë. Informacionet që ajo ndante mund të ishin shumë të thjeshta dhe të gjindshme fare lehtë me një kërkim të shpejtë në internet, por kishte diçka të mrekullueshme në shpjegimin e saj që të mahniste: të shpjeguarit me pasion dhe dashuri. Dashuria për ta rritur vajzën me art dhe histori, padurimi për t’i folur asaj rreth botës që e rrethon, dëshira e zjarrtë për t’i përçuar dije, por ndoshta edhe thjesht të folurit me të në një bisedë që do formësojë të menduarit e saj në të ardhmen. 

Nënën-ciceron e imagjinoj teksa është rritur në dy botë paralele: në njërën, edhe nëna e saj dikur e ka pas sjellë në shitje të ngjashme kur ajo ishte ende në karrocë. Dëshira e madhe për të trashëguar tek e bija këtë eksperiencën e jashtëzakonshme që i ka lënë shenjë thellë në kujtesë, edhe pse nuk mban mend as cili muze apo cilën pjesë të historisë i ka shpjeguar, e ka motivuar sot këtë nënë ta shëtisë bijën e saj. Në tjetrën, nëna e saj, nuk i dhuroi kurrë shëtitje të tilla, ose ndoshta nënë s’ka pasur fare, dhe mungesa e një eksperiencë të tillë në fëmijërinë e saj e shtyn sot këtë nënë që t’ia bëjë dhuratë bijës së vet atë që vetë nuk arriti të merrte.

Ndërsa unë, përveç arkitekturës, rendit urban, palmave formë ananasi, mbi të gjitha mbetem e mrekulluar nga gratë e Barcelonës, me mjeshtërinë e mëmësisë si askund tjetër në botë.