Sokol Zekaj ka lindur më 30 gusht 1948 në Koplik, Shkodër, rajoni veriperëndimor i Shqipërisë. Është autor i shumë vëllimeve poetike, ndër to mund të përmendim librat: “E pamundura”, 1993, “Zogjtë e perëndimit“, 1995, “Nga ankthi te…”, 1997, “Unaza dhe zjarri”, 1999, Kantik për hijeshinë e shiut”, 2001, “Ylberet dalin kur s’i presim”, 2006, “Mollët”, 2009, ,,E arta që lidh stinët”, 2014, “Toka të pabanuara”, 2017, etj. Më 2020, ka botuar përmbledhjen e plotë të poezive me titull “Nga dëshira për të jetuar”, ku janë përfshirë edhe poezitë e reja të pabotuara më parë. Me librin “Vera fantastike”, 2003, ka fituar. Çmimin Kombëtar të Poezisë “Pena e Argjendtë”. Ka botuar edhe një roman, ndërsa gjithashtu ka shkruar ese, dhe ka bërë përkthime nga nga poezia franceze dhe italiane.

Në shkrimin tuaj “Jeta dhe libri” përmendni disa autorë shqiptarë por edhe të huaj, që keni lexuar, ju kanë pëlqyer por mbi të gjitha i keni cilësuar si të rëndësishëm. Përse duhet të lexohen të tillë autorë?
REVISTA HESHTJE
Po, mbaj mend se në esenë time “Jeta dhe libri” kam përmendur shumë autorë që ne i kemi lexuar në kushtet kur sistemi ynë shoqëror ku jetonim, na kishte imponuar izolimin nga bota, nga zhvillimet kulturore të kohës, nga modernizmi. Them, pa pretendimin se po bëj ndonjë zbulim, se ata autorë sidoqoftë janë të rëndësishëm, pasi krahas të tjerëve që nuk i kam përmendur, bëjnë pjesë në kujtesën letrare të njerëzimit, apo në kujtesën letrare të kombit tonë. Por gjithkush bën zgjedhjen e vet, lexon çfarë i pëlqen, ose sigurisht, e them për shkollarët, dikush do lexojë edhe çfarë i kërkohet. Ka edhe njerëz që nuk lexojnë, dhe jetojnë mirë, simbas konceptit të tyre. Sidoqoftë duhet thënë se poeti e ka të domosdoshme njohjen, kontaktin me botën e letrave, me rrugën e poezisë në kohë: si ka ecur. Si ka ndryshuar. Çfarë nuk ka ndryshuar. Poezia është dije. Nga padija del veç asgjëja. Një poet, ose çdo poet, e zbulon së pari prirjen e vet, nga kontakti me poezinë e tjetrit, jo me vetveten. Një poezi e dikujt që as e ka njohur as parë, i ka pëlqyer njëherë, madje aq fort sa është sugjestionuar. Mandej edhe një tjetër, edhe një tjetër. Dhe kështu vetë ai ka lidhur jetën me të si krijues i saj. Pra, nga njohja erdhi kjo. Në fakt ideja e braktisjes së letërsisë dhe poezisë sidomos, vjen si jehonë e zhvillimeve komplekse të kohës. Por poetët janë individë, janë një kategori e veçantë njerëzish që bëjnë atë që mendojnë se duhet bërë, notojnë edhe kundër rrjedhës, veçse jo edhe aq duke marrë këshilla a duke zbatuar porosi. Është thirrja e brendshme që i drejton.
Në kohën e diktaturës, një poet nuk mund të realizonte visionin e vet, sado i talentuar që të ishte. Si keni vepruar ju gjatë asaj periudhe kohore, ç’farë vendosët ju të bëni me talentin tuaj?
REVISTA HESHTJE

Në kohën e diktaturës tek ne, poeti nuk ishte i lirë në shprehjen e talentit të vet. Ai ishte i kufizuar para letrës së bardhë, pasi gjatë punës së tij krijuese, por edhe gjatë gjithë kohës, e kishte të fiksuar në mendje se krijimi i tij duhej të dilte në përshtatje me disa kërkesa që i impononte sistemi, përndryshe më e pakta që mund të ndodhte, do t’íshte refuzimi për tu botuar, pra kthimi në pikën zero. Në këto kushte gjithnjë punohej për “momentin”, duke bërë lëshimet e domosdoshme. Kështu ka ndodhur me të gjithë, pa mohuar se kanë dalë edhe gjëra të mira, nga talente të fuqishme. Me rënien e atij sistemi, gjërat erdhën në normalitet. Por nga “normaliteti” për të bërë letërsi, deri te letërsia e vërtetë si fakt, ka një distancë, e cila duhet me u mbushë nga përkushtimi dhe puna e poetëve dhe shkrimtarëve, nga sakrifica e tyre, nëse e marrim të mirëqenë talentin. Si shumë të tjerë, edhe unë i jam kushtuar poezisë. Unë jam orientuar kah përjetimet, kah bota ime e brendshme, të cilën, nga ana tjetër, nuk e kam parë të izoluar. Ajo ka qenë si një pasqyrë imja e thellë ku përthyhej, përmes një imagjinate të gjallë, pasqyrimi i botës së jashtme, i botës reale në të cilën ne jetojmë. Kështu është shkruar libri “E pamundura”, botuar më 1993 dhe më pas “Zogjtë e perëndimit”, botuar më 1995. Në pasthënien e librit “E pamundura”, si edhe tek ndonjëri nga tekstet e poezive të këtij libri, sot mund të shihet vizioni im i poezisë, nga do shkoja në të ardhmen, cili do t’ishte raporti im me të. Tashmë vizioni im i poezisë, nëse duam me folë për të, gjendet i realizuar në poezinë time, në përmbledhjen “Nga dëshira për të jetuar”, botuar më 2020, ku janë të gjithë librat e mi ndër vite, si edhe poezitë e reja të saposhkruara. Te këto poezi të pabotuara deri atëherë, që përbëjnë librin tim të fundit me titull “Brymë vere”, them se gjenden të shkrira arritjet e mia më të mira, ndoshta diku-diku edhe të sofistikuara, përmes një arti të rafinuar, jo gjithmonë lehtësisht të përtypshëm, por gjithsesi gjithmonë të pjekur dhe befasues. Dhe, kështu, sot kur e shoh, më duket sikur, qysh në fillimet e mia, këtë poezi kam dashtë me shkrue, kjo ka qenë në përfytyrimet e mia të paqarta. Kështu vizioni nuk është më një supozim, një hamendje, por është një gjë e kthyer në lëndë, që mund të merret në duar, sipas meje. Ai ka qenë brenda meje, i pashfaqur, si një project intim, jo i detajuar por mjaftueshmërisht i qartë për mua, për të mos humbur rrugën, për të ndjekur rrugën time, pa u shpërndarë dhe pa u shpërbërë. Unë nuk besoj se një vision nxirret në tryezë për tu parë nga të tjerët, por them se ai project me kohën është zhvilluar, është rritur, ka marrë trajtë, dhe tash është aty, si poezi, në fakt komplekse, jo e thjeshtë, dhe gjithashtu vëllimore, fakt ky, i cili e bën atë, poezinë time, të duket nga jashtë disi e heshtur, si një kështjellë e madhe, kur hyjnë veçse pak njerëz, kur ajo do shumë vizitorë për hapësirat e gjana që ka. Tashmë dihet: poezia është poezi! I kemi ikur kohës kur poezia botohej në pesëmijë kopje. Libri me poezi i Nazim Hiqmetit, në vitin 1957, kur ne sapo kishim dalë nga analfabetizmi, është botuar në shtatëmijë kopje. Tash jemi në një tjetër situatë. Por unë ndjehem me shumë fat që e kam arritur botimin e përmbledhjes së plotë të poezive, sepse vizioni është diçka në ajër, në imagjinatë, dhe se çdo vizion shuhet, nëse nuk fiksohet diku, po them për këtë rast, nëse nuk fiksohet te poezia. Në fund të fundit, vetëm kjo mbetet, vetëm kjo, poezia, është argument për poetin.
Me mbarimin e viteve ’80, që shënojnë fundin e atij sistemi cilat qenë disa sfida me të cilat u përballën shumë autorë, por veçanërisht poetët, dhe si i tejkaluat ju konkretisht këto sfida?
REVISTA HESHTJE
Çdo poet, ashtu si edhe çdo njeri, ndeshet me problemet e veta. Sigurisht dikujt i vijnë gjërat më mbarë në jetë, dikujt më ters. Poetët më duket se nuk hyjnë te më fatlumët. E kam fjalën për poetët e vërtetë, të cilët mbase janë njeriu siç duhet me qenë, por në një shoqëri që nuk ekziston. Prandaj ndeshen me më shumë probleme. Por këto janë gjëra të jashtme. Nëse flas për veten, studimet e mia u përkasin fushës së shkencave, jo asaj të letërsisë, dhe nuk vij këtu nga mësuesia si të shumtët e poetëve. Mbase profesioni që nuk më ka favorizuar në njohjen me njerëz të letrave që shkruajnë, bëjnë analiza e sinteza letrare, them se më ka ndihmuar në përceptimin e botës dhe të gjërave, dhe kjo i mbulon të tjerat pasi them për veten, ma ka mbajtur të gjallë, plot ajër hapësirash botën time shpirtnore, duke ma shpëtuar nga një molepsje e mundshme. Por po them, pasi ra sistemi, me rëndësi ishte në atë kohë se poetët duhej të ndryshonin raportin e tyre me dijet që kishin marrë, e në veçanti me dijet filozofike dhe po ashtu, madje në radhë të parë, me poezinë. Po flas për veten, unë kështu e ndieja. Unë ishta i gatshëm për me fillue, sepse nuk kisha ndonjë ngatërresë a ndonjë nyje të pazgjidhur në vetvete. Në fakt në fund të viteve ’80, pak vite ma parë se të binte sistemi, unë kisha lexuar poet modern si Apollinaire, Rene Char, etj. ndërsa më parë se këta isha njohur gjerësisht me poezinë e Nazim Hiqmetit, një poet që ndikoi tek unë, duke më devijuar nga rryma e kohës në poezi. Mund të them se këtu gjeta shpëtimin tim si poet, të paktën duke më thënë se ekziston një tjetër mundësi. Më pas moment i rëndësishëm ka qenë për mua edhe njohja me veprën e poetit francez Arthur Rimbaud. Kështu po mbyllej për mua koha kur poezia moderne tek ne, njihej pak, edhe aq sa njihej, njihej keq. Ata që e njihnin, e njihnin për me folë mbrapsht për të. Letërsia jonë nuk i kishte kaluar shkollat dhe rrymat letrare që në vendet e përparuara patën zhvillim të bujshëm, të paktën qysh nga gjysma e dytë e shek XIX. Nuk njiheshin përfaqësuesit e tyre. Mirëpo pa njohjen, pa marrjen në konsideratë të tyre, si mund të bëhej një poezi e qëndrueshme bashkëkohore? Pra duhej të njiheshin këto zhvillime. Në fakt kjo u bë, përmes botimit të librave por edhe të gazetave dhe revistave letrare. Dhe si kunorë e këtyre mundësive, ishte kontakti me librin në gjuhë të huaj. Vazhdimi është puna e poetit, të shkruarit, dhe sigurisht talenti i tij. Poezia del prej shpirtit të poetit dhe i drejtohet shpirtit njerëzor në pëgjithësi. Kur e lexojmë, ajo nis me sugjestionin që ne marrim, për me hy në botën e poezisë. Esenca e sugjestionit është e vërteta, por kjo është diçka tjetër nga ajo që ndeshim në jetën e përditshme, dhe vjen gjithmonë si një zbulim. Nëqoftëse në fund mbetemi përsëri të sugjestionuar, atëherë ne kemi dëshirën për me e rilexue, pra jemi vendosë brenda botës së poezisë, ne, si me thanë, po banojmë aty, po e jetojmë atë realitet shpirtnor.
Përveç letërisë, cila formë tjetër e artit është e rëndësishme për shkrimtarët dhe prej së cilës duhet “të ushqehet” për të qenë më produktiv në veprimtarinë letrare?
REVISTA HESHTJE
Të gjitha format e artit janë të dobishme për poetin, madje edhe të gjitha fushat e dijes mund të jenë. Ato e pasurojnë botën e tij me emocione dhe me ide. Por duhet pasë parasysh se ai, poeti, në radhë të parë, ushqehet shpirtërisht nga jeta, nga realiteti. Besoj shumë se kjo është e pazëvendsueshme. Më pas problemi është te bota e brendshme e poetit, te pasuria dhe te aftësia e saj për me vu në lëvizje mjetet e artit që ai ushtron. Artet kanë natyra të ndryshme, dhe secili ka mjetet e veta të shprehjes, ndërsa secili funksionon ndryshe nga të tjerët, dhe asnjëri nuk është vendimtar mbi tjetrin. Aq më pak mendoj se mund të ndahet njëri art, si më i dobishëm a më i afërt me të shkruarit, se të tjerët. Por përafri individuale mund të ketë, për shkak të formimit kulturor. Poezia duhet me qenë e ngopur me emocionin e jetës, e realtetit, por duhet me qenë diçka ndryshe nga ato. Megjithatë gjendjet tona ndryshojnë. Paul Valery thotë se nganjëherë më pëlqejnë vetëm artificet në poezi. Edhe kjo na ndodh: merremi me to, dhe jemi të kënaqur. Por më duket se kjo na ndodh ndonjëherë, jo gjithmonë.
Sipas jush, çfarë privilegjesh kanë sot shkrimtarët e rinjë për të cilat nuk janë të vetëdijshëm ose nuk i vlerësojnë mjaftueshëm?
REVISTA HESHTJE

Unë e di që kemi shkrimtarë të rinj shumë të talentuar, dhe shumë të përkushtuar, që po e thonë fjalën e tyre në fushë të letërsisë, me shumë dinjitet. Krijimtaria e tyre sjell freski në fushën tonë të letrave, dhe sjell shpresë tek ne të vjetrit. Çfarë shprese? Shpresën se letërsia ka të ardhme, se dita kur shkrimtarët e vjetër, nuk do të shohin pas vetes shkrimtarë të rinj, të jetë sa ma e largët, mundësisht të mos vijë asnjëherë. Por të mos mendojmë për avantazhe sepse krijojmë iluzione. Bie fjala, unë nuk them se ne sot kemi avantazh ndaj poetëve të njëqind vjetëve ma parë. Çdo brez jeton në një shoqëri të caktuar, në një kohë të caktuar. A mund të themi se poetët e shekullit që do të vijë, do kenë avantazhe në krahasim me ne? Dyshoj. Ka mendime se mund të thuhet edhe e kundërta. Por nëqoftëse e keni fjalën për kohën e diktaturës, ajo tashmë ka më shumë se tridhjetë vjet që ka rënë. Të gjithë ne shkrimtarët e sotëm, e patëm avantazhin e lirisë, ndonëse me pak vonesë për disa, për disa me shumë, kjo simbas viteve. Sigurisht edhe të rinjtë, po se po. Mbas kësaj, gjithçka tjetër është rrugë individuale. Secili merr përsipër aq ngarkesë sa i mban zemra. Secili ndjek një rrugë të vetën. Teknika dhe teknologjia kushtëzojnë librin si industri e prodhimit, por jo punën e poetit. Bie fjala Servantesi nuk kishte kompjutër kur shkroi Don Kishotin. Duke menduar se ke avantazh, se koha tashmë ka punuar për ty, ose po punon për ty, atëherë nga kandi i rehatisë, thjesht mund të biesh në një vetkënaqësi, a në përceptime të gabuara të gjërave. Pse? Sepse poezia, por sidoqoftë, edhe proza, kanë natyrë shpirtnore. Puna e poetit apo e shkrimtarit, asht përkushtim dhe trazim. Duhet me u mbështetë te vetja sepse askush nuk të ndihmon në atë që është puna jote krijuese. Unë kam kuptuar se nuk është ndonjë fat a ndonjë lumturim i madh -në mos qoftë zhgënjim- kjo punë, por është një rrugëtim që dikush e merr përsipër, pa e menduar edhe aq mirë. Por e merr. Dhe nuk do me u pendue. Të tillë janë edhe shkrimtarët e rinj, dhe kështu do jenë.
Si e shihni ju “HESHTJEN” si koncept?
REVISTA HESHTJE
E shoh si pozitive, kur heshtja flet, kur komunikon, kur e refuzon asgjënë, kur ka shpirt.
Ju falënderoj që më ftuat në këtë intervistë, që të flas për letërsinë në përgjithësi, dhe për poezinë time në veçanti, me ju, dhe me lexuesit tuaj në Shkup, por mbase edhe në hapësirën mbarëshqiptare.