| Nga DRITAN SKENDERI |
Nuk do shkruaj më
As edhe një varg
S’më mbeti asgjë
Gjithçka iku larg
–
Morën dhimbjen time
E ngjeshën në këmbë
Rrugën me kujtime
Ma prenë gurë të rëndë
–
Ëndrrat që nga rrënja
Shkulur hedhur tej
Vargje e rrëfenja
Gërmadhë gjithandej
–
Gëzime e shpresa
Për një ditë të mirë
M’i ngriu krahneza
Gjer në frymë e shtrirë
–
Lumturinë me mall
Doja ta ujis
M’u dogj e m’u kall
Sa çeli filiz
–
Nuk do shkruaj më
As edhe një fjalë
Do këndoj pa zë
Me erën në mal
–
Do vallëzoj me zogj
Gjithmonë do shtegtoj
Trup e shpirt m’u dogj
Këtu s’kam ç’kërkoj