| Nga HAMDI NUHIJU |
Natën vonë, Odesa e vogël 8 vjeçare, çmendet, fillon të qaj, bërtet, dridhet, zgjon nënën nga gjumi dhe kërkon ta përqafoj. Nëna Blerta e përqafon vajzën dhe mundohet ta qetësoj. Qetësohu bijë, qetësohu bijë, i thotë dhe fillon të brengoset. Odesës nuk i largohen ankthet, frika, tmerri, vazhdon të qaj, dridhet, përpëlitet nën jorgan bashkë me nënën Blertën. Të dridhurat, përpëlitjet nuk i ndalen, i duken si moment i dhënies së shpirtit. Fillon t`i kapet fryma, nënë dua ujë, nënë dua ujë. Pi disa gllënka me ujë, por të qarat nuk i ndalen. Lotët e ngrohtë e bëjnë qull jestikun e nënë Blertës.
– Bijë, e ngrit zërin nëna, më trego çfarë ke, a të shkojmë në mjek? Kam parë një ëndërr të tmerrshme, përgjigjet Odesa dhe vazhdon rrëfimin:
– Natën vonë isha futur në një pyllë të thellë ku dëgjoja zëra të ndryshme të kafshëve. Karcyejtë këndonin dhe bënin dritë, hutat tmerronin me zërin e tyre, ndërsa unë isha vet me rrobat e gjumit dhe me Xherin, kukullën time të preferuar. Papritur, një dhelpër lëviz në pyll me shpejtësi, duket e frikësuar nga frymëmarrja ime, ikë dhe sikur më thotë të shkoj t`i mbroj të vegjëlit e mi nga armiku. Dëgjohen zërat e ujqve, ndërsa unë vazhdoj të marr frymë thellë. Ujqit krijojnë simfoninë e tyre në mesin e natës, sikur janë para një salle të madhe kamertale me mijëra përcjellës. Shoh prej larg se po lëviz diçka, një gjarpër vizaton vijën mbrojtëse për vezët dhe vëzhgon situatën me mjeshtëri. Mua më ngritën flokët nga kjo pamje, prej këtyre skenave. Nuk e di se si ende jam duke marrë frymë. Por, nuk më ka gjetur gjë, ende vazhdoj të futem thellë në pyll. Nuk e di çfarë jam duke kërkuar dhe si jam gjendur në këtë situatë të palakmueshme, por e di se instiktet e mia po kërkojnë diçka. Dhe ja arritëm në fundin e rrugës, në atë lumë të mrekullueshëm, atë erë të lehtë pranverë që fryn natën, ato yje që zbukurojnë dhe strehojnë të frikësuarit. E pash edhe kopshtin me trëndafila. Hmmm, ajo erë mbretërore, ajo pavarësi jete që ngjallë shpirtrat.
Duke folur për kopshtin me trëndafila, Odesën e kap gjumi në prehrin e nënës Blertës, e buzëqeshur dhe e lirë.