PISHINA E BARIUT

| Nga HAMDI NUHIJU |

Në bjeshkët e Karadakut, aty rrëzë maleve, luleve të egra boronicë, kumbullave të egra, mollëve, barit e staneve, jetonte e jehonte zëri i Drenit. Bari Drenit! Djalë dhjetë vjeçar, shtatëvogël, me faqe të kuqe si mollë, tamam një ushtar bjeshke i ushqyer e pjekur në kushte të hënës, diellit, kodrave e kodrinave. Bari Dreni ishte kompozitor orkestre me fyellin dhe këmbanat e lopëve dhe deleve si dhe të lehurat e qenit të tij besnik. Çdo ditë krijonte një ritëm të ri, kompozim orkestre që kënaqnin diellin, tokën e qiellin. Ndonjëherë orkestrës i bashkoheshin edhe zërat e pëllumbave, fluturat dhe zogjve shtegtar.

Kopeja për të cilën kujdesej bari Dreni, rritej çdo ditë. Njerëzit ia besonin kujdesin ndaj kafshëve, pasi që tek ai shihnin cilësitë e një malësori fisnik i cili asnjëherë nuk tradhton, nuk gënjen dhe kujdeset me jetë për gjërat që i lihen në besë. Besa-besë ka qenë kod i shqiptarëve i cili në zonat urbane ka humbur në peshë, por tek malësorët dhe barinjtë është si kod veshjeje. Është petk shpirti dhe qefin që vëndohet në kokë. Ma mirë me vdekë me nder sesa me pre në besë, shpesh herë pleqtë i mësonin të rinjtë bjeshkëve të Karadakut dhe gjithandej në shqiptari.

Ditët shpeshtoheshin, stinët ndërronin, ndërsa bari Dreni mësonte bjeshkët e Karadakut pëllëmbë më pëllëmbë. Nuk kishte shteg ku nuk kishte shkelur këmba e tij. Kështu, duke ecur e pastruar natyrën, ai gjen dy goma të mëdha traktori, të hedhura të cilat nuk i jipnin shije të bukur natyrës. Ashtu, shtatëvogël, merr ngadalë gomat e mëdha dhe i bartë deri në oborrin e stanit të tij. Vizaton në mendje një skicë për të ndërtuar një pishinë të cilën kishte pasur mundësi ta shoh njëherë kur i kishte bërë vizitë qytetit përreth bjeshkëve të Karadakut. Fillon të gërryej një gropë të madhe për të ndërtuar bazamentin e pishinës. Vendos gomat, i shtrëngon me mjete rrethanore dhe i mbush me ujë. Gomat mbushen deri në fund me ujë. Sytë i shkëlqejnë nga gëzimi, kërcen në ujë, lahet e shpërlahet.

Tre burra shtatëlartë e kishin ndjekur hap pas hapi bari Drenin, ia zbulojnë stanin dhe pishinën e tij. Djalosh, i drejtohen, gomat që i paske vendosur në pishinë, janë tonat, ne i kemi lënë përkohësisht, pasi që kemi pasur probleme me traktorin. 

Bari Dreni, fëmijë i pajisur me cilësi fisnike, turpërohet, kërkon falje dhe ia kthen gomat, pronarëve të vërtetë. Pishina i prishet, por ëndërra për të ndërtuar një pishinë iu bë realitet.