E GJITHA SI NJË SKENË

| Nga LIRIDON HYSENI |

 Zbrita shkallët e shtëpisë dhe ecja lagjes duke fluturar pa krahë e nën tokë. Po pra, pa krahë e nën tokë. Prej se u bë e ditur të mbyllemi për hirë të shëndetit, u vu në pah se shëndeti paska në fund të fundit rëndësi  dhe se ja vlen të sakrifikosh për shëndetin madje edhe vetë jetën luksoze!

  Lagjes kaloja rrëzë shtëpive të fqinjëve dhe zëra s’dëgjoheshin njësoj si në kohën kur ishim “të lirë” të merrnim frymë, të qarkullonim nëpër skenë e të ndiheshim të lumtur edhe kur s’ishim. Ah sa bukur të ecës lagjes e të përmallohesh për oksigjenin e pastër kur frymon në brendësinë tonë atëkohë kur “e shpikëm zjarrin” dhe filluam të vërenim natyrën-gjenezën.  

-A e ke marrë maskën?!

-Po në xhep e kam!

Për fat teksa ecja s’isha vetëm sikur në mendimet e mija por sigurisht në skenë duhet të japim secili maksimumin sepse është një “battle royale” mbarë ekzistenciale ku pjesëmarrës janë qënie që i shohim e që nuk i shohim. Si për shembull anash rrugicave shtrihen ndytësirat e majave botërore të ambicieve të sëmura, ato reklamohen e furnizojnë botën mbarë me progres, u jep njësi matëse vlerave njerëzore dhe në fund paraja e fiton “battle royale”-in material duke përfunduar si fitimtare e njësive matëse të ketyre vlerave. Ne shtrijmë duart teksa qëndrojmë të përkulur para dikujt që s’na intereson ta njohim sepse tani vlerat tona njerëzore varen kryekëput prej kësaj njësie, andaj është me rëndësi jetike t’i nënshtrohemi mbretërve të kësaj loje, tek e fundit ç’na kushton pak sakrificë morale për të mbijetuar në skenë!?

-Shifrat nuk po duken reale bre, nuk ka njeri që m’bindë se këto shifra janë t’vërteta e për që është politikë aty s’ka diskutim!

-Për besë po na dhimbsen të vjetërit tanë, se kjo kalohet si n’Suedi që nuk po degjojnë fare sikur mos t’ishin shtrirë gjeografikisht fare në Tokë, sikur t’ekzistonin në një tjetër planet!

-Po duket se po rezulton t’mos jetë virus fare, e kësaj pune ma s’po i dihet filli.

Tash, në një skaj të skenës jemi ne që gumëzhojmë strukur në një dhomë të izoluar akustikisht dhe përcjellim atë çka na ipet t’a përcjellim nga mbretërit e lojës, e me kohë po të jemi të durueshëm ndoshta edhe depërtojmë në betejën mbretërore te skenës. Pse ç’menduat ju, se në këtë lojë mund të jetë pjesëmarrës kushdo?

-Duhet t’shkojmë t’a kryejmë punën e dëshmisë!

-A është larg?

-Jo këtu afër pesë minuta dhe kthehemi.

Ka nga ata që vendosin edhe të mos jenë pjesë e lojës, por si arrijnë t’a bëjnë atë gjë, si arrijnë t’i rezistojnë joshjes së skenës, ajo është aq mahnitëse… këtë e kuptojmë edhe nga vetë fakti se të tillët janë shumë të pakët në numër. Ky betejë është e shtrirë aq sa shtrihet vetë ekzistenca e njeriut paramendojeni sa e kotë është të mendohet tash për fundin e saj!

Ka nga ata që s’arrijnë as të depërtojnë në skenë, shpresoj mos t’jemi të atillë se më para do doja të isha pjesë e atyrë që vendosin mos të bëhen pjesë e skenës, të paktën do mbanim një llloj qëndrimi ndryshe, do na shikonin me një sy siç i shoh un tash për tash të tillët, apo jo?

Pasi i dhanë njësi matëse vlerave njerëzore, këto vlera u kthyen në material, materiali në përfitim, përfitimi në pushtet, pushteti në shkatërrim, shkatërrimi në lojë, loja u bë skenë, e skena vetë ekzistencë!

Do doja t’a shihja atë tipin qysh në fillet e para të kësaj histerie ashtu si të them, e paramendoj duke interpretuar fjalët “lë të nisë loja”, dhe në atë tavolinë t’i degjoja të qeshurat djallëzore e të shfrenuara të mbretërve të tanishëm e të mjerëve të atëhershëm njëkohësisht.

  Bashkë do ta luajmë skenën deri sa vetë skena të mos e njohë më veten deri në pikën kur ajri që e marrim do na kushtojë me vlerë, kur materiali të ruhet si moral e morali si çorapet që ndërrohen çdo ditë, e ndoshta pse jo edhe më shpesh!

-Edhe një kafe t’lutem, t’njejtën si ma herët!