KURBANI

| Nga NADA DOSTI |

Një mace e bardhë si qefini. Një sy jeshil, tjetrin të vërdhë. Takimi ynë i parë. “Edhe ty të thonë jabanxhie pse je ndryshe nga të tjerat, apo të llogarisin si të veçantë? 

Nuk më ktheu përgjigje. Vari turinjtë. Pastaj më pa drejt e në sy. “Mos më shiko ashtu, nuk të marr dot. Edhe po të mora e di që nuk do më duash, do kërkosh ushqim vazhdimisht, do më zgjosh në pikë të sabahut, do sëmuresh, do më sulmosh…kështuqë s’ka arsye perse të të marr.” 

Nuk më dëgjoi. Nuk deshi të më dëgjonte. Filloi të më ndiqte. Nuk m’i ndali sytë derisa hipa në furgon. Më ndoqi deri në fund të rrugës. Kurse unë bëra sikur nuk e shihja. Në xhamat e furgonit shkruhej me të madhe në gjuhën kurde “Babai është themeli shtëpisë, por NËNA është gjithçka”.

Prej kohësh po kërkoj një tregimi mahnitës. Pasi zbres, më zë syri një artizane. Duhet të hyj patjetër në punëtorinë e saj. E vura re në fakt, por siç e pohoi dhe ajo vetë ishte e vetmja artizane grua në të gjithë zonën. Në qytetin lindor të Turqisë, ku deputetja e zonës dhe avokatja e popullit janë gjithashtu gra.  

“Bujrun, a mund t’ju ndihmoj, çfarë po kërkoni?” pyet gjithë mirësjellje.

“Po kërkoj një tregim. Kam kohë që po i shkoj nga pas. Keni parë gjë, a keni ju këtu?”

“Po, posi. Madje falas. Bujrun!”

Afroi një tavolinë të vogël. Vendosi dy filxhanë me kafe turke dhe sheqerka blu me bajame brenda. 

“Kafja qenka shumë e veçantë. Çfarë ka brenda?”

“Quhet kafe turke. Çfarë nuk ka brenda: kafe turke, qumësht, kakule, dhe plot kujtime, muhabet dhe tregime”

“Hajt pra, tregomë! Mezi po pres”

“Unë quhem GylShah. Në këtë qytet kam lindur dhe jam rritur në mesin e gjarpërinjve. Shumë herë kam luftuar me ta. Sa herë më kanë helmuar, më kanë përtypur pastaj më kanë nxjerrë prap dhe jam rikthyer në jetë përsëri e përsëri. Jam rrëzuar disa herë derisa arrita të çohem mbi këmbët e mia. Të gjitha këto sakrifica i kam bërë për veten, por sidomos për të rritur e vetme dy bija e mia. E din, ne e kemi të shkruar në ADN sakrificën. Dikur një grua e ngjashme si unë, e cila dhe ajo jetonte bashkë me gjarpërinjtë, madje kishte arritur t’i sundonte. Jetonte si një gjysëm njeri gjysëm gjarpër. Derisa u dashurua, dhe dashuria e saj e tradhtoi. Kështu u bë sakrificë e dashurisë. Sakrificë e pushteit. Në atë kohë, sundimtari i vendit na u sëmur dhe mësoi se e vetmja gjë që mund ta shëronte do të ishte mishi i një gruaje gjysëm njeri gjysëm gjarpër. Ai e vrau gruan dhe e ziu atë në ujë të valë. Veziri që e piu lëngun e kokës vdiq dhe sundimtari që hëngri mishin e saj shpëtoi nga sëmundja. I dashuri i gruas gjysëm gjarpër, piu ujin e zierjes së dytë dhe u bë i urtë, bëhet urtar dhe me një dituri të pafundë aq sa sillet në pozitën e vezirit.

-Më duket se sakrifica është e shkruar në gjakun e të gjitha grave të botës. Edhe në vendin tim gratë sakrifikohen për ditë. Shumë kohë më parë, në lashtësi, një grua u flijua për faj të burrave përsëri:

Na ishin tre vëllezër të cilët nisën të ndërtonin një kullë për t’u mbrojtur nga armiqtë e mundshëm. Punon ditën e shembej natën. Një ditë kalon aty një burrë i urtë, ata ia shpjegojnë dertin dhe burri plak iu sugjeron që themelet të qëndrojnë të forta duhet bërë kurban një grua. E para prej nuseve të këryre djemve që do vijë të nesërmen t’iu sjellë bukë do jetë e përzgjedhura. Me kusht që asnjëri prej jush mos t’iu tregojë nuseve të tyre, por ta ruajnë sekret. Dy djemtë e mëdhenjë nuk e mbajtën fjalën por u treguan nuseve të tyre, ndërsa i treti, më i vogli e mbajti fjalën. Të nesërmen nusja e tij vjen t’iu sjellë bukë dhe ata i tregojnë për planin se kanë vendosur ta sakrifikojnë dhe ta varrosin nën themele. Nusja e re pranon me një kusht. Që gjysma e trupit t’i lihet jashtë. Me njërin sy të mund të shikojë djalin e saj tek sa rritet. Me njërin vesh të dëgjojë kur qan dhe kur është i uritur në mënyrë që të mund ta mëkojë me qumësht dhe të mund ta përkëdhelë kokën me njerën dorë, dhe me njërën këmbë të mund t’ia përkundë djepin. Edhe sot e kësaj dite, në kështjellën e Rozafës, shumë pranë themeleve qëndron një pjesë gjithmonë e lagësht, prej qumështit që do të vazhdojë të rrjedhë deri në Ditën e Fundit.