| Nga HAMDI NUHIJU |
Pse njerëzit e kufizojnë martesën? Ndoshta nga frika e mbisundimit ose edhe nga kufizimi i të drejtës së lirisë. Nuk e di! Martesa është një rrjedh lumi në katër stinët e vitit. Frytet e saj janë të njëjta si frytet e një lumi që nuk ndalet asnjëherë. Ku është kufiri i martesës? Pse duhet të ndalet? Nga burimi i lumit që gjendet diku në thellësi të malit, gjen përgjigjen për rrjedhën e saj. Njëjtë, në maje duhet ta kërkosh burimin e martesës. Burimet tokësore janë të përkohshme, dogmatike dhe të papërshtatshme për rrethanat në të cilat duhet që të jetojnë njerëzit.
Idetë moderne kanë dal kundër dogmës, vjetërsive dhe kufizimeve. Duan lirinë! Po liria a nuk është kontratë? Nënshkruan për sekondat dhe frymëmarrjet tua se do t`i jetosh në harmoni të plotë me të gjitha ndryshimet shoqërore dhe natyrore. Nënshkrimi jot është shfaqja-ardhja në këtë botë, ndërsa marrëveshja bëhet me Krijuesin.
Nëse njerëzimi mirëmbahet me hallka, martesa është një hallkë e fuqishme e cila lidh gjeneratat. Në momentin që ti del kundër, kërkon ç’orientimin e hallkave dhe prishjen e harmonisë së njerëzimit. Dhe e bën këtë gjë në emrin e lirisë. Por, liria është kontratë! Nuk ka liri pa të drejta dhe obligime. Edhe po të jetosh në një ishull i vetëm, ti patjetër e ke ti përshtatesh stinëve. Nëse gjatë stinës së dimrit del zhveshur në emrin e lirisë, do të ngrihesh dhe në atë mënyrë bën vetëvrasje.
Martesa është një liri shoqërore. Çlirim! Nuk është vdekje, errësirë, dogmë!