JETË E PAJETË

| Nga LYRA GOGA |

Ndalem, mbushem me frymë e vazhdoj përsëri. Me nxitim, fluturimthi. Gati sa nuk rrëzohem, por nuk ndalem. Nuk mundem. Vazhdoj me shpejtësi edhe më të madhe. Vrapoj. Qielli ishte ngjyrë gri në mëngjes, pemët e mbuluara me borë. Më vonë, në vrapin e pasditës fillon e buzëqesh dielli. Akullin e rrugës arrin ta shkrijë, por jo në mua. Çdo gjë vërej vetëm kalimthi, nuk e ndjej. Nuk arrijnë te zemra se mua më duhet të arrijë te caku tjetër. Edhe e kuqerremta e qiellit më ngjan e zbehtë e nuk më prekë shpirtin si përpara. Ku është shpirti? Nuk e di. Ka humbur. Po zemra? A ekziston ende?
Vazhdoj, nuk mund të ndalem më shumë në këto pyetje. Qielli ka ngjyrë të purpurtë, ashtu duket. Nuk shoh mirë. Vrapoj. Nuk kam kohë për ngjyra më. Madje as për yjet natën. I vërej, po. Edhe më qartë se përpara. Të bukur. Të zbrazët. Errësirë. As këtë nuk e ndjej më. Jam kthyer vetë në të.
Vazhdoj. Njerëz. Turma. Nga këta të fundit nuk jam shkëputur, bëhen pjesë e imja. Emocionet, mendimet dhe energjia e huaj zë vend te unë. E ndjej, e ndjej deri në shpirt, ani pse një shpirt jo shpirtëror tani. Kaq shumë gjëra më hyjnë brenda, në brendësinë që deri vonë e mbaja të shenjtë. Tash është një shtëpi me derë të hapur ku hyn e del kushdo. E unë vrapoj ndërkohë. Nuk e kuptoj se çka po ndodh aty. Ka ca kohë. Në fillim doja të ikja edhe vetë. Nga vetja. Tani të tjerët hynë aty. Në vrap e sipër sikur më rëndon kjo peshë e shtuar.
Vazhdoj rrugën. Nuk mund të ndalem. Rrugës, kur gati jam duke u rrëzuar sikur shoh brenda përmes një dritareje të thyer. Rrëmujë. Gjysmën e orendive të shtëpisë sime nuk i njoh. Shiu që bie jashtë ka vërshuar dhomat. Kjo më acaron. Bota më rrotullohet e unë vazhdoj si e trullosur. Ngurtësinë e çdogjëje e ndjej më shumë se kurrë. E ndjej vdekjen e të ndjerit, vajtoj kufomat e një bote të kaluar. Në këtë udhëtim të përbashkët, harroj udhëtarët e tjerë. Fiksohem në unin tim. Në shpirtin tim, zemrën e gjorë që po mban kaq shumë. Tek unë. Te vetja. Nuk ekzistojnë të tjerët më. Një pjesë e imja, e vjetër, e kupton këtë. Në skutën më të thellë të kësaj shtëpie të rrënuar e të mbuluar nga uji, fshihet dikush qe e kupton rrezikun. Por, nuk ka fuqi të dalë nga aty e të lajmëroj vetat e tjera.
Vazhdoj. Nuk dua. Ose dua. Po, dua. Dhe jo. Po. Jo. Nuk e di. Vazhdoj. Ah, sikur të zhdukeshin këto rrënojat e një të kaluare të artë. Më në fund rrëzohem. Rrëshqas në akullin e oborrit dhe bie në mes të kësaj udhe pa fund. Mbushem me frymë, ëndërroj për shëtitje të ngadalta brenda në shtëpi, qetazi të kaloj prej një dhome në tjetrën. Shtrihem në mes të një rruge të panjohur me mendjen te shtëpia e braktisur, te dhomat e vjetra që nuk i kisha vizituar prej kohësh. Është vonë, ndoshta nuk janë më aty. Jam e lodhur, më mirë të qëndroj e shtrirë kështu, në mes të rrugës.
Vazhdoj ecjen ashtu e shtrirë, në realitet nuk jam ndalë asnjëherë. Vështroj vrapin e vetës nga toka. Ajo, unë, vrapon, vrapoj. Jam e shtrirë, jam në këmbë. Pa frymë. Muret e një kështjelle afër rrënohen para meje. Pluhuri ma pengon shikimin, e humbas vetën. Nuk e ndjek më pas. Është e vetme. E di që po vazhdon të vrapoj diku. Ajo nuk di të ndalet. I kanë mësuar vrapin, por jo edhe pushimin. Nuk po e gjej. Nuk ngritem dot, nuk e ndihmoj. Unë u rrëzova, shpëtova!
Vazhdon. Vetja. Si mund të ndahem nga vetja? Si është e mundur? Ku iku? Ajo nuk do e linte ndonjëherë pas shpirtin. Ishte gjëja që urrente, urreja, më shumë te bota. Ashtu e vrarë dhe një me rrënojat e kështjellës, kuptoj që bota është e pafaj. Askush nuk e humb shpirtin me qëllim, por ndodh. Një ditë ecë më shpejt dhe shpirti e ka të pamundur të të arrijë. Bëhesh një me turmën. Në garë se kush mbërrin i pari. Edhe ata i kanë diku personat që janë në të vërtetë. Ndoshta në fund të ndonjë oqeani, të fshehur në ndonjë skutë të harruar, apo pranë meje. Pse nuk kthehet, pse nuk kthehemi? Ashtu pa frymë, më në fund më qartësohet çdo gjë. Më në fund, mësoj të vërtetën e jetës. Në vrap e sipër, e humba vetën. Atë vetë që kishte vlerë. Se tjetra është duke vrapu pas të tjerëve, ani pse pa qenien e saj. Hije të pashpirta në një botë të shpejtë. Vrapo, vrapo, vrapo…