| Nga LIRIDON HYSENI |
Por mua as krahët s’më flatrojnë,
Mendja as vetes nuk i beson,
E nganjëherë…
Besimi me fantazinë as që dallojnë!
Kush jam unë?!
Të marr guximin të vështroj
Kopshtet me delikatesë të thurura
Kush jam unë t’i prekë
Duart në akuj të strukura?!
Afshet nga ndjenjat të ndara,
Zemra me empati të ngrira…
E ti në mes të kësaj revolte
Unë në skaj të kësaj rezistence
Zoti lartë në vëzhgim të kësaj ëndërre
Dhe gjithçka tjetër në heshtje
Asnjë fonemë, asnjë melankoli
Vetëm e jona simfoni
Që buçet si një fantazi
E shkruar në ëndërrat pa pushim
Të dy shpirtërave të mbyllur
…në zhgënjim!
Vetëm e jona mrekulli
Si një vepër hyjnore që mahnitë
Natën me hanën i ndrit’
I përndanë me vetminë!
Unë në skaj anoj nga qendra
Ti në qendër anon në skaj
Por Zoti na ngriti të dyve lart
E kur hija e engjujve t’i preku sytë
Mora guximin t’i përqafoj fantazitë
Mua as këmbët s’më premtojnë
Gjymtyrët e mija s’janë as të gjymta
Por në qiejt me ty
Me një frymë u ngjita!
E bashkë,
U lëshuam në dashuri!
U strehuam te Zoti
E Zoti na strehoj,
Në krahët e njëri-tjetrit
Përjetësia nuk është shpresë
As teori e nxjerrur dëshpërimisht
Ajo është ndjenjë e premtuar…
Për shpirtin, prej shpirtit
Dhe kur të pashë
Në më të shtrenjtën natë
Para Zotit u betova
Që përjetësinë të t’a premtoja
E përjetësia nuk është kujtim
Se kujtimet i kanë fundet e trishta
Është një çast që s’ngopet nga koha
Përkrahësh me ty.
E nga koha me ty nuk ndahem
Sa hënën nga nata të mund t’a ndash
As nga krahët e tu nuk zbrapsem
Aq sa jeta vdekjen që s’mund t’a zbraps
Edhe pse trupi m’është i brishtë
E përherë…
Nga ty nuk do të rrij larg
Më shkruaj një fjalë e dashur
Për dashurinë mos të mbajmë mall
Dhe në çastet e ngushta
Kur fjala nuk tingëllon
Ma thirr shpirtin se ai nxiton
Për në krahët e tua
Aty ky Zoti më strehoi
Për strehën që aq shumë u luta
Edhe ti krahët e mi shtrëngo
Me duart e tua të buta
Buzëqeshja jote emër le të jetë
E lakore e kësaj afreske
Le të pikturohen qiejtë
Kur gjithçka mbetet në heshtje
Vetëm e jona tingëllimë
Që e mbush dashurinë
Kompozon simfoninë
Se përjetësia është melodi…
Pa mbarim